“Jam kundër një mbyllje të dytë”

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka qenë i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, ku ndër të tjera ka treguar nëse ekziston ndonjë mundësi që Shqipëria t’i nënshtrohet një karantinimi të dytë.

Ai beson se kjo gjë nuk do ndodhë dhe është shumë kundër.

Arian Çani: Në shumë vende të botës, kanë qenë ekspertët që kanë vendosur dhe jo politikanët, politikanët i janë nënshtruar ekspertëve.

Pëllumb Pipero: Nga komunikimi që kam patur me specialistët italianë që erdhën për të na trajnuar ose për të shkëmbyer eksperiencë, e kemi diskutuar këtë problem eksperti, specialisti dhe politikani dhe më thanë që edhe tek ne, vendimet i merr politikani. Natyrisht vendimet politika duhet t’i marrë, por specialistët duhen dëgjuar më shumë.

Arian Çani: Për një karantinim të dytë nëse do shtohen rastet, do ishte pro apo kundër?

Pëllumb Pipero: Unë kam qenë dhe do të jem kundër një mbyllje të dytë, kundër një karantinimi të dytë, edhe pse situata të veçanta jo të zakonshme nëpër qarqe, rajone apo qytete të ndryshme mund të jenë jashtë të mundurës, por unë jam kundër mbylljes. Unë nuk e quaj zgjidhje dhe do jem kundër saj deri sa kohë të pyetem, apo të mund të flas. Nuk është një zgjidhje afatgjatë.

Arian Çani: Po një të dytë a do kishte njeri fuqi ta bënte?

Arjan Curi: Varet nga ekonomia, ekonomia shqiptare nuk do kishte mundësi ta përballonte.

Pëllumb Pipero: Unë nuk besoj se do të shikohet një karantinim apo një mbyllje e dytë si zgjidhje dhe nuk e besoj të ndodhë.

Arjan Curi: Vetëm nëse do të ketë viktima aq masive sa t’i detyrojnë të bëjnë mbylljen, por as unë nuk e besoj.

Pëllumb Pipero: Shtete të mëdha mund ta aplikojnë në qarqe apo zona, por neve jemi një vend shumë i vogël.

Arian Çani: A ke dhe ti dyshime si të tjerët se pas datës 5 Nëntor  nëse zgjedhjet në Amerikë bëhen, nuk do flitet më për koronën?

Pëllumb Pipero: Unë personalisht situatën globale shëndetësore nuk e lidh me zgjedhjet në Amerikë edhe pse ato do kenë ndikim të madh në rang global. Koronavirusi do vazhdojë të bëjë punën e saj.

Arian Çani: A do jetë në fokus kaq të madh?

Pëllumb Pipero: Sigurisht që do jetë aq kohë sa virusi afekton shëndetin e komunitetit, padyshim që do jetë edhe në syrin e specialistëve, por edhe në syrin e politikanëve. /tvklan.al