Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions tha se ai do të tërhiqet nga një hetim federal rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e 2016-s për Shtëpinë e Bardhë.

“E ndiej se nuk duhet të përfshihem në hetimin e një fushate në të cilën unë kisha një rol,” tha Sessions në një konferencë shtypi të enjten pasdite.

Komentet e Prokurorit të Përgjithshëm vijnë në një atmosferë thirrjesh që ai të jepte dorëheqjen ose të tërhiqej nga procesi i hetimeve rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e nëntorit.

Sessions foli dy herë gjatë fushatës me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara. Këto biseda duket se bien në kundërshtim me deklaratat që ai bëri gjatë seancave të konfirmimit të tij në Kongres.

Ai hodhi poshtë çdo aludim se ishte përpjekur të gënjente rreth kontakteve me rusët. “Ky nuk është synimi im; kjo nuk është e saktë”.

Sessions, këmbënguli se ai nuk u takua me zyrtarë rusë për të diskutuar mbi fushatën elektorale. Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, e mori në mbrojtje Prokurorin e Përgjithshëm, duke thënë se ai thjesht bëri punën e tij si ish-senator, kur foli me ambasadorin rus.

Presidenti Donald Trump tha të enjten se “nuk ishte në dijeni” që Prokurori i Përgjithshëm të kishte patur kontakt me ambasadorin rus gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar.

Presidenti Trump i bëri komentet në Newport News të shtetit Virxhinia, para se të mbante një fjalim në bordin e aeroplanmbajtëses USS Gerald Ford. Ai tha se ka besim të plotë tek Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions./tvklan.al