BE: U përmbush një nga kushtet për hapjen e negociatave

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë thotë se miratimi i marrëveshjes së 5 Qershorit në Kuvend respekton paktin e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian. Në një deklaratë të selisë diplomatike amerikane përgëzohen të gjitha partitë që sipas saj u siguruan që marrëveshja e 5 Qershorit u arrit, u respektua dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

“Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike”.

Ndërsa Komisioni Europian reagoi me anë të zëdhënëses Ana Pisonero, e cila thotë se në këtë mënyrë u përmbush një nga kushtet për hapjen e negociatave. Brukseli nxit palët që rimbledhja e Këshillit Politik të vazhdojë me të njëjtën frymë dhe të mos dëmtojë marrëveshjen e arritur.

“Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të 25 marsit 2020. Ne jemi në dijeni të propozimeve shtesë për reformën e sistemit zgjedhor. Ndërkohë që njohim rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese të treguar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 Qershorit”.

Në të njëjtën linjë është edhe Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, që thotë se e mirëpret miratimin e amendamenteve të Kodit Zgjedhor, në përputhje me Marrëveshjen e 5 Qershorit pasi kjo përmbush një kusht kyç të konkluzioneve të Këshillit Europian.

“Për çdo ndryshim tjetër, nxis të gjitha partitë të vazhdojnë diskutimet në mënyrë që fryma dhe rezultatet e 5 Qershorit të mos dalin nga shinat”, shkruan Komisioneri i Zgjerimit.

Miratimi i marrëveshjes në parlament u përshëndet edhe nga ambasada gjermane dhe ajo britanike ndërsa zyra e OSBE në Tiranë u bën thirrje palëve që të vijojnë dialogun për reforma të mëtejme.

Tv Klan