Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme dha rezultatet e pjesshme të hetimeve dhe verifikimeve mbi çështjen e Xhisiela Malokut dhe pretendimeve që ka ngritur ish-oficeri Emiljano Nuhu.

Nga shqyrtimi i urdhrave të brendshëm, librave të shërbimit e denoncimit, kamerave të disa bizneseve si dhe dëshmitë e mbi 20 punonjësve të policisë u arrit në përfundimin se Nuhu nuk ka qenë në shërbim në datën 21 Korrik kur ai pretendon se është kërcënuar me pistoletë në kokë nga vëllai i deputetit Rahman Rraja në prani edhe të deputetit Taulant Balla.

Po ashtu Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme i ka qëndruar versionit të dhënë nga policia dy ditë më parë se asnjë nga personat e përmendur në intervistën e Nuhut nuk ka qenë në komisariat në 21 korrik, ndryshe nga sa pretendon ish-oficeri. Edhe veprimet e tij pas takimit me vajzën në 27 korrik janë gjetur me shkelje.

“Nga shqyrtimi i fashikullit të hetimit rezulton se nga 11 veprime hetimore të deleguara nga Prokurori i çështjes, Emiljano Nuhu ka kryer vetëm 4 prej tyre”.

Shërbimi i ankesave konfirmoi po ashtu se Nuhu në 30 Korrik është takuar me djalin e deputetit në një lokal në Tiranë. Largimi nga detyra dhe më pas ikja jashtë vendit ngarkojnë me të tjera akuza ish-oficerin e policisë.

  1. Shpërdorim detyre
  2. Kalim i paligjshëm i kufirit
  3. Nxjerrje e sekretit hetimore
  4. Shkelja e procedurave të punës në hetimin e çështjeve
  5. Shkelja e rregullave mbi armatimin personal të punonjësit të Policisë së Shtetit

Hetimi nuk ka përfunduar pasi po shqyrtohen me imtësi të gjitha rrethanat e tjera mbi ligjshmërinë e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të këtij ish-punonjësi policie apo  të personave të lidhur me të.

Tv Klan