Shemben godinat e dëmtuara në “Qytetin Studenti”

Shemben godinat e dëmtuara në “Qytetin Studenti”

13:06 12/12/2019

Familjet strehohen në banesa me bonus qiraje

Shemben tre godinat që u shpallën të pabanueshme në “Qytetin Studenti”, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit. Familjet që po qëndronin aty janë sistemuar në banesa me bonus qiraje.

Teksa ndoqi nga afër shembjen e godinave, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e cilësoi të drejtë vendimin për t’i larguar banorët nga dhomat e ish-godinave të “Qytetit Studenti”, të cilat përbënin rrezik për jetën e tyre dhe sistemimin në banesa me bonus qiraje me kushte dinjitoze.

“Kanë qenë godina të zëna prej vitesh, që nga viti ‘90-‘91, kur filluan ndryshimet në “Qytetin Studenti”, pra një gangrenë që vazhdonte një kohë të gjatë. Godina ka pasur shumë ndërhyrje, improvizime. Ndaj, besoj ishte vendimi drejtë për t’i çmontuar vetë dhe besoj se ishte vendim akoma më i drejtë për t’i transferuar me qira të gjitha familjet, duke respektuar dinjitetin njerëzor, si të çdo anëtari tjetër të bashkësisë së Tiranës, që u trajtua me bonus qiraje për largimin nga ndërtesat e dëmtuara”, tha Veliaj.

Veliaj nënvizoi se të gjitha ato familje që lanë godinat, të cilat i kishin uzurpuar gjatë viteve të tranzicionit, kanë kushte shumë herë më të mira në banesat e tyre të reja.

“Dua t’i falenderoj banorët për bashkëpunimin. Unë e kuptoj, asnjëherë nuk është e lehtë të largohesh nga një banesë ose vend-strehim, ku ke kaluar një pjesë të madhe të jetës tënde, megjithatë siç verifikuam, rasti i profesor Pëllumbit dhe shumë të tjerë, janë në kushte disa herë më të mira. Shtëpitë me qira në Tiranën urbane janë shumë herë më të mira se konvikte të amortizuara, ku në një dhomë të vogël jetonin 1-2 kurora, disa raste edhe tre kurora. Ndaj, për të gjitha këto arsye, 90% e familjarëve në “Qytetin Studenti” tashmë kanë marrë disbursimin e qirasë, ka ngelur edhe një 10% që ose e ka neglizhuar ose ka gjetur në alternativë tjetër strehimi. Jemi të përgatitur për këdo tjetër që ka nevojë të marrë paratë e qirasë dhe të jetojë në një vend shumë herë më dinjitoz se sa hapësira që kishte në “Qytetin Studenti”, tha ai.

Ndërkohë, edhe dhjetë godinat në Institutin Bujqësor do të shemben, pasi paraqesin rrezik për ata që strehohen atje. /tvklan.al


Grupi
LAJMET
Të ngjashme
Grupi