Djali i Drini Elezi, tregoi për emisionin “Stop”, se babai i tij ka 2 vite, që qëndron i mbyllur në burgun e Zaharisë, ku trajtohet si i sëmurë mendor, për shkak të një konflikti pronësie. Gjatë një sherri banal, Elezi ka hedhur disa fishekë në oborrin e komshinjve.

“E kanë çuar në burgun e Zaharisë për trajtim të detyruar mjekësor, në një moment që ai nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Historia ka lindur kur im atë është kthyer në shtëpinë e vjetër në Përmet për të jetuar atje, për të ndërtuar diçka për jetën e tij. Konflikti ka lindur për shkak se familjet që ndodhen aty aktualisht kanë dëmtuar në tokën tonë të mbjellat dhe si rezultat i kësaj, duke e mbledhur gjëra të tjera dhe duke mos e pranuar këtë rikthim të tij në fshat ata janë munduar që t’i bëjnë problem në mënyra të ndryshme, duke i ndërprerë ujin, duke i bërë padrejtësi, duke e acaruar në mënyra të ndryshme. Në moment që im atë i shkon aty ku s’mban më dhe bën një akt që mund ta quajmë disi penal. Në fshat ka pasur municione më parë dhe ai i ka mbledhur duke qenë se ka qenë vetë polic më përpara. I ka mbledhur me idenë që do t’i dorëzojë në rajonin e policisë kur të zbriste poshtë në Këlcyrë, gjë që është standarde dhe ai e di brenda rregullave. Duke qenë i nxehur ai ka vajtur dhe ka hedhur disa fishekë që as nuk kanë shpërthyer apo kanë dhënë asnjë lloj dëmi tek shtëpitë e personave me të cilët kishte probleme. Një prej personave me mbiemër Kolleshi, të cilët kanë bërë kallëzimin në polici. Policia e ka shoqëruar në rajon, e kanë mbajtur aty derisa ka dalë para gjykatës”, tha djali.

Si vepër penale, akti i tij klasifikohet si kundravajtje, që dënohet me gjobë deri në një vit burg. Por Prokuroria e Përmetit dhe Gjykata dyshohet të jenë bërë palë dhe të fusin në burg Drini Elezin, duke e trajtuar si të sëmurë mendor edhe pse ai nuk ka probleme të tilla.

Avokati i Elezit, Eduard Mullaraj, tregoi, se çfarë ka ndodhur me këtë proces, në të cilin nuk ka asnjë provë që tregon se Drini Elezi mund të vuajë nga çrregullime mendore.

“Pasi është arrestuar, i është nënshtruar një raporti dy eksperteve psikiatre të thirrur menjëherë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe menjëherë është vendosur që në momentin e parë që ky shtetas duhet t’i nënshtrohet mjekimit të detyruar në spitalin e Zaharisë”.

Shkak i gjithë konfuzionit janë bërë ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët kanë hartuar një akt fiktiv, për të lënë Drini Elezin në një burg spitalor. Ky akt përbëhet gjithsej nga 3 fletë dhe nuk ka fakte shkencore apo prova që të mbështesin që Elezi ka probleme mendore. Anamneza e Elezit nuk tregon për asnjë sëmundje dhe ajo është bosh.

“Gjashtë muajt e parë këtij i dhanë një mjekim të detyruar. Pastaj ky i refuzoi me forcë përdorimin e medikamenteve dhe që atëherë ia ndërprenë dhe i jepnin ca qetësues sa për ta mbajtur atje. Ky shtetas kreu një kundravajtje penale për të cilën ashtu siç e ka ligji mund të ishte nga gjobë deri në një vit. Ajo që ka bërë ai konsiderohet kanosje dhe është nga gjobë, deri në 1 vit”, tha avokati.  

Akti i ekspertimit privat i bërë nga familjarët tregon që Drini elezi po mbahet me forcë atje pasi në konkluzione thuhet se ai nuk ka pasur çrregullime mendore.

“Unë kam këtu, grafikun e seancave deri tani. 14 deri tani duke filluar nga Përmeti dhe deri në Gjirokastër këto dy mjeke nuk i kam parë asnjëherë. Gjykata nuk i ka detyruar këto shtetase që të vijnë në seancë gjyqësore. Të dështojë procesi gjyqësor për një shtetas që ndodhet me të padrejtë në një institucion.

Nëse do më pyesni mua se kush duhet të përgjigjet për këtë, ata që kanë ndëshkuar, që kanë marrë dhe kanë hedhur një firmë në mënyrë të kundraligjshme për këtë shtetas duhet të mbajnë përgjegjësi, por ligji e shmang këtë dhe i paguan shteti dëmshpërblimet për këtë shtetas që qëndron në këtë burg me të padrejtë. Nëse do ishte padi civile e drejtpërdrejtë këtyre dhe këto shtetase sa të kenë jetën sëbashku me familjen e tyre nuk do ishin në gjendje të paguanin dëmshpërblimin për këtë shtetas pasi i kanë marrë jo vetëm jetën”, tha avokati.

Odiseja ka vazhduar me 14 seanca gjyqësore të shtyra, pasi dy ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk vijnë në gjyq.

Gazetari: Tani dua të të pyes për diçka!

Roja: Po!

Gazetari: Anila Kazaferi dhe Ilda Aliko, punojnë këtu ë…?

Roja: Po!

Gazetari: Vijnë përditë?

Roja: Janë mjeku-ligjorë, sidomos ditën e premte s’mungojnë kurrë, se është ditë vizitash me të dënuarit./tvklan.al