“A Quiet Place” është rikthyer me një tjetër film, për t’ju sjellë një atmosferë ndryshe.

“Paramount Pictures” publikoi të mërkurën ‘triler’-in e parë të “A Quiet Place: Day One”, e cila tregon ngjarjet e mëparshme të filmit të parë “A Quiet Place”.

Kastit i është shtuar aktorja Lupita Nyong’o, si një personazh qendror. Historia fokusohet në fillimin e pushtimit të Tokës nga disa specie të egra jashtëtokësore, të cilat nëse dëgjojnë vetëm një tingull të vogël, mund të të heqin qafe.

Fituesja e çmimit “Oscar”, Nyong’o, shihet në ‘trailer’ duke u endur nëpër kaosin urban, kur papritmas shikon drejt qiellit disa kometa (ose të paktën ashtu duken) që përplasen nëpër atmosferë.

Pikërisht atëherë fillon një kaos i ri, i tmerrshëm, me krijesa që bëjnë kërdinë, duke hedhur makina si kukulla prej lecke e duke mbërthyer qytetarë që bërtasin.

Skenat e shkatërrimit tregojnë rrugët e qytetit me njerëz të dëshpëruar për të ikur, aeroplanë ushtarakë që fluturojnë lart dhe një urë që përfshihet nga flakët e shembet.

Më pas, i gjithë qyteti pushtohet nga heshtja… /tvklan.al