Të ftuar:

Brunilda Rapo – në studio

Ylli Gramatiku – shërues natyral

Gentian Toshkezi – neurokirurg në lidhje Skype 

Gazetare: Ermelinda Ndoja

#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Pulë me lëng të bardhë

1.2 kg mish mish pule ose rose

1 qepë

1 lç piper të zi

Pak salcë domateje

3 vezë

4 lgj miell

2 lgj lëng limoni

Kripë + piper të zi

2 lgj gjalpë e vaj ulliri

Fillimisht pastrojmë mishin. Në një tenxhere shkrimë një lugë gjellë gjalpë dhe dy lugë gjelle vaj. Skuqim mishin e pulës ose të rosës derisa të zverdhet pak. Shtojmë në tenxhere ujë derisa të mbulohet mishi dhe e lëmë të ziejë për 15 minuta duke shtuar në tenxhere dhe pak kripë.

Ndërkohë në tigan me pak vaj kaurdisim qepën derisa të zbutet. Shtojmë pak spec të kuq dhe salcë ( jo t’i japim recetës ngjyrë të fortë ). Shtojmë qepën tek lëngu i pulës dhe i përziejmë së bashku duke i lënë të ziejnë. Shtojmë në tenxhere dhe orizin dhe zierja të vazhdojë për 10 minuta të tjera.

Në një tas përziejmë 3 vezë dhe dy lugë gjelle lëng limoni. Shtojmë miellin duke i përzierë së bashku. I hollojmë me një gotë ujë të ftohtë dhe i trazojmë derisa vezët të marrin trajtë kremoze. Largojmë tenxheren nga zjarri, largojmë copat e mishit dhe i vendosim ato në në tavë. Bashkojmë vezët me miell dhe lëngun e pulës në temperaturë mesatare, i përziejmë derisa lëngu të trashet. Shtojmë lëngun mbi felat e mishit në tavë. Vendosim mesatarisht mbi mish pak gjalpë dhe e vendosim tavën në furrë në temperaturë 190 gradë për 25 minuta. 

Biskota me copëza çokollate

115 gr gjalpë ( temperaturë ambienti)

150 gr sheqer

1 vezë

Vanilje

180 – 200 gr miell

½ lgj niseshte misri

½ lç pluhur pjekës

Pak kripë

100 gr çokollatë lot

70 gr arra (opsionale)

Në një tas vendosim gjalpin në temperaturë ambienti, shtojmë sheqerin dhe i përziejmë derisa të na krijohet një masë homogjene. Shtojmë vezët duke shtuar më pas vaniljen dhe miellin pak nga pak. Gjithmonë duke e përzierë, shtojmë niseshten, pluhurin pjekës, i përziejmë mirë së bashku.

 Pasi të na jetë formuar brumi shumë i trashë, shtojmë çokollatën dhe nëse doni ta pasuroni në shije mund të shtojmë dhe arrat e grimcuara. I përziejmë dhe formojmë sfera të vogla sa një arrë, të cilat i vendosim në një tepsi ku kemi shtruar letër pjekjeje. Më pas i vendosim në furrë në temperaturën 170 gradë për 15 – 20 minuta.

Historia e Brunilda Rapos që i mbijetoi 100 operacioneve

Vuan nga sindroma e rrallë gjenetike, Brunilda: Humba shikimin kur isha 7 vjeçe

Brunilda Rapo mbart një sindromë tejet të rrallë gjenetike, e cila prek 1 në 36.000 njerëz. Në “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Brunilda ndan historinë e saj të vështirë shëndetësore dhe jetësore. Në moshën 7-vjeçare humbi menjëherë shikimin në njërin sy. Prej moshës 11-vjeçare nisi t’i nënshtrohej operacioneve të njëpasnjëshme, të cilët sot kanë arritur një numër ekstrem, 100.

Brunilda Rapo: Unë kam humbur shikimin, nuk e dija që kisha këtë sëmundje. Sëmundja quhet Von Hippel-Lindau. E kam humbur që 7 vjeçe shikimin e syrit të majtë. Pastaj kam filluar operacionet në moshën 11-vjeçare, me një si tip katarakti.

Katerina Trungu: Në moshën 7-vjeçare kjo gjë erdhi menjëherë, humbja e shikimit apo gradualisht?

Brunilda Rapo: Menjëherë.

Katerina Trungu: Ti nuk kishe syze apo….?

Brunilda Rapo: Jo, erdhi menjëherë, që ta kuptoni, janë pika gjaku që nëse bëhen shumë, janë si tullumbacet që nëse i mbush me ujë, tak plasin dhe të shkaktojnë hemorragji. Në rastin tim, kjo u bë në sy dhe më iku shikimi përnjëherë, kjo ka ndodhur në Shqipëri?

Katerina Trungu: A kishte ndonjë shkak?

Brunilda Rapo: Po, sepse ato kishin shtyrë njëra-tjetrën, ishin bërë shumë, shpërthyen dhe kështu shkaktuan hemorragji, e cila ishte shkaku që më iku shikimi.

Katerina Trungu: A e mban mend?

Brunilda Rapo: Po, e mbaj mend momentin që më ka ikur shikimi, por si e qysh, nuk e mbaj mend se isha 7 vjeçe. Por më vonë doktorët na e kanë shpjeguar pse ndodhi kjo dhe ka qenë shumë vonë për të bërë diçka për të rikthyer shikimin atëherë.

Katerina Trungu: Kishe mundësi që ta parandaloje?

Brunilda Rapo: Po, nëse do isha në shtet tjetër sepse nuk njihej këtu në Shqipëri, duhej të bëje teste gjenetike, të shihje shkakun nga erdhi, çfarë është kjo dhe e kanë kuptuar shumë vite më vonë në Greqi, Selanik atëherë kur më kanë dërguar edhe në Zvicër. Kam bërë disa operacione në Greqi, pastaj të tjerat i kam vazhduar në Zvicër, ku edhe jetoj tani.

“Kam kryer më shumë se 100 operacione”, Brunilda: Mjekët thanë nuk bëjmë dot më gjë për ty

Pas humbjes së shikimit në moshën 7-vjeçare dhe nënshtrimit të operacioneve kur ishte vetëm 11, Brunilda ka kryer prej atëherë më shumë se 100 operacione. Sëmundja e saj e rrallë gjenetike i shkaktoi humbjen e shikimit, i mori të atin kur ishte ende i ri sepse është e trashëgueshme dhe nisi të përkeqësonte edhe gjendjen e Brunildës.

Ajo tregon për “Shije Shtëpie” në Tv Klan luftën e vështirë me të, tentativat e panummërta mjekësore, ndërhyrjet, të cilat nuk kanë përfunduar ende. Madje, një pikë e fortë e rrëfimit është momenti kur mjekët hoqën dorë nga trajtimi i saj.

Katerina Trungu: Realisht 100 apo?

Brunilda Rapo: Më të shumtat janë tek sytë. Mund të jenë edhe pak më shumë.  kam hequr vezët. Në 2009 kam humbur babin nga e njëjta sëmundje, shumë i ri, 49 vjeç. Pastaj mua më është shfaqur në kokë.

Katerina Trungu: Tumor?

Brunilda Rapo: Po, e njëjta  sëmundje por shfaqet në kokë se ajo është në trup, ka mundësi një sëmundje gjenetike nuk shfaqet kurrë si tumor ose në trup. Vetëm e ke dhe qëndron aty, nuk të bën asnjë lloj dëmi. Por nëse ti ke kaluar vështirësi, stres, probleme kjo shfaqet dhe nëse e lëshon veten, aty e ke trupin plot.

Brunilda mendon se sëmundja e sulmoi gjatë kohës që ajo ishte në një gjendje të dobët emocionale. Përveç kësaj, nisi të përhapej edhe më shumë.

Katerina Trungu: Ka patur edhe tumore të tjerë, në zona të tjera të trupit?

Brunilda Rapo: Po, me kalimin e kohës janë shfaqur në gjok, kraharor dhe në kokë. Në zona të tjera jo, por i kam provuar të gjitha. Operacione, rreze, sidomos këtë vitin e fundit, kam futur në jetën time meditime, frymëmarrje, sport.

Katerina Trungu: Mbetemi pak te shkenca sepse kam përshtypjen që kjo është gjëja që e suprizon këdo që dëgjon historinë tënde. Pra, i bie 11 vjeç, sa vite u bë që ti ke bërë gjithë këto ndërhyrje deri në momentin që vendose nuk ndjek më? Kur përfunduan fazat e ndërhyrjeve, cila ishte ndërhyrja e fundit?

Brunilda Rapo: S’kanë përfunduar.

Katerina Trungu: S’kanë përfunduar, ke akoma procese të tilla për të bërë. Kimioterapi, radioterapi të gjitha i ke bërë këto?

Brunilda Rapo: Po, i kam bërë të gjitha. Nuk i kam refuzuar sepse ai njeri që do të shërohet, i provon të gjitha. Nëse e beson që ajo gjë që ti bën, do kesh rezultat, ti ke rezultat.

Katerina Trungu: Dhe vendose në një moment të caktuar që t’i ndalosh këto lloj trajtimesh?

Brunilda Rapo: Nuk e vendosa unë, në fakt e vendosën vetë mjekët. Më thanë që “deri këtu, ne nuk bëjmë dot më gjë për ty”.

Të shërohesh përmes ushqimit dhe meditimit

A është e mundur të evitojmë ose të shërojmë disa sëmundje përmes ushqimit?