Kryeministri në detyrë i akuzon se kanë punuar kundër interesave të qeverisë

Parlamenti i Malit të Zi ka votuar për shkarkimin e dy ministrave pro-perëndimorë të qeverisë në detyrë të Dritan Abazoviçit. Dyzet e një deputetë pro-serbë, në Parlamentin me 81 vende votuan për shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ranko Krivokapiç, dhe ministrit të Mbrojtjes, Rashko Konjeviç.

Abazoviç akuzoi dy anëtarët e partisë pro-perëndimore, Partisë Socialdemokrate, se kanë punuar kundër interesave të qeverisë. Kampet pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi po tentojnë të shkarkojnë nga detyra presidentin pro-perëndimor, Millo Gjukanoviç, dhe ta dërgojë para gjykatës për pretendimet për korrupsion.

Qeveria e Abazoviçit është në detyrë, pasi Parlamenti votoi një mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit në Gusht të këtij viti. Abazoviç, që udhëheq Lëvizjen URA, fillimisht kishte pasur qëndrim pro-perëndimor, por nisi të ndiqte një politikë më pro-serbe kur erdhi në pushtet përmes ndryshimit të koalicionit qeverisës në Prill.

Në gusht, Abazoviç nënshkroi një marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe që nuk njeh identitetin e Malit të Zi si shtet i veçantë. Ai argumentoi se marrëveshja me Kishën do të ndihmonte në tejkalimin e ndarjeve të thella të brendshme.

Zgjedhjet e reja ende nuk janë thirrur sepse nuk ka shumicë në Parlament. Ndërkaq, zgjedhjet lokale do të mbahen në 14 komuna më 23 Tetor, përfshirë edhe në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë. Një konsensus për zgjedhjet e reja, që potencialisht do të mund të mbaheshin në janar, pritet të arrihet pas zgjedhjeve lokale.

Klan News