Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin “Prekalori” ku janë vënë në pranga 5 persona si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Në njoftimin e saj policia bën me dije se janë sekuestruar 205 kg lëndë narkotike dhe 5 automjete që përdoreshin për transportin e kësaj lënde.

Në pranga kanë rënë: Z. K., 53 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë në Mal të Zi për trafik narkotikësh. (kryetar i grupit të strukturuar kriminal); G. M., 31 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, (bashkëpunëtori kryesor i kryetarit të grupit); K. M., 28 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar); E. H., 29 vjeç, banues në Malësi e Madhe (anëtar);Xh. D., 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar).

Arrestimi i tyre është kryer pasi në bashkëpunim me njëri – tjetrin po kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, me qëllim përfitimin. Sasia e lëndës narkotike është gjetur në një fugon, në prani të shtetasve Z. K. dhe G. M., të cilët do të kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë bashkëpunëtorët e këtyre të fundit, ku gjithsecili kishte rolin e vet në këtë aktivitet kriminal.

Ky operacion u zhvillua në bazë të hetimeve të kryera, mbi këtë grup kriminal, i cili kryente organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi dhe më gjerë.Gjatë veprimeve të mësipërme u sekuestrua automjeti tip fugon; lënda narkotike me peshë 205 kg; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Veprimet që pengojnë zbulimin e të vërtetës”./tvklan.al