Ndërhyrja për të prishur një mur është bërë burim konflikti mes shkollës profesionale dhe Bashkisë së Kamzës. Me një vendim të datës 9 Gusht, Bashkia i njeh një kompanie ndërtuese të drejtën për të ndërhyrë në territorin e shkollës deri në tjetërsim të hapësirës.

Referuar shkresës së Bashkisë, përcaktohet se leja është dhënë për ndërtimin e një rruge pas kërkesave të shumta të banorëve për problemin e ujrave të zeza. Edhe pse në pamjen satelitore përreth shkollës nuk ka asgjë tjetër, veçse fushave dhe tokave të pashfrytëzuara.

“Për ne situata është e paqartë, e paprecedent. Ne nuk kemi asnjë lloj informacioni të qartë se cfarë do të bëjë konkretisht bashkia, pra mund të bëjë kanal, mund të bëjë rrugë”,

thotë Dëfrim Cani, drejtori i shkollës.

Drejtuesit e shkollës thonë se janë njohur me këtë vendim vetëm kur kanë parë fadromën teksa prishte kangjellat e murit rrethues.

“Në prezencë të policisë është ndërhyrë, janë prerë kangjellat. Zyrtarisht ne nuk jemi njoftuar për këtë lloj situate. Na është paraqitur vetëm një leje infrastruktuore tek roja i shkollës”.

Përballë kësaj situate, drejtuesit e shkollës kanë rindërtuar edhe një herë vetë kangjellat për të mos lejuar tjetërsimin e oborrit të shkollës, ngushtimi i së cilës zvogëlon kapacitetet për nxënësit.

“Shkolla ka mbi 1800 nxënës. Duke iu referuar parametrave të hapësirave, shkolla nuk mund ta prishë këtë strukturë ekzistuese”.

Deri më tani, vetëm rezistenca e bërë nga shkolla ka bërë të mundur pezullimin e punimeve, edhe pse fadroma qëndron e parkuar pranë territorit. Shkolla profesionale ka ndjekur të gjitha hapat duke i dërguar shkresa institucioneve përgjegjëse, por edhe pse janë tejkaluar afatet ligjore ende nuk ka një kthim përgjigje ndaj tyre. Ndërsa vetë Bashkia, pas interesimit të Klan Plus, përgjigjet se kjo rrugë është një shërbim për të mirën publike.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Megi Fagu