Ditën e sotme në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë i ftuar një personazh shumë interesant. Ai është shkrimtar, një poet atipik, i cili nuk jeton në Shqipëri por me penën e tij të fuqishme ka arritur të lerë gjurmë, të vlerësohet dhe të lexohet edhe përtej kufijve shqiptarë, përkatësisht aty ku ai jeton, në Bruksel të Belgjikës.

Bëhet fjalë për Skënder Sherifin i cili ka lindur në Kosovë, në një familje me origjinë shqiptare, por i rritur në Belgjikë, ai kurrë nuk i ka harruar rrënjët e tij shqiptare.

Është vetëm për pak ditë në Shqipëri, dhe jo më kot, i thirrur për t’u nderuar me një titull nderi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Gjatë emisionit ai ka folur për jetën dhe familjen e tij dhe si u larguan nga Kosova në ’56-tën drejt Belgjikës.

“Unë kam lindur në Viti të Kosovës në 1954. Babai im ka origjinën nga Tropoja një fshat buzë Valbonës, ka qenë oficer i Mbretit Zog, u burgos nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ka qenë në burgun e Shkodrës, më pas e kanë transferuar në kampin e Porto Palermos në Tepelenë. Kur u lirua nga burgimet e Shkodrës dhe Tepelenës është arratisur nga Tropoja në kufijtë e ish-Jugosllavisë domethënë në Kosovë.

Gjakova ishte 3 orë larg nga kufiri i Tropojës. Është arratisur si refugjat politik. Ka ndejtur si emigrant politik në një farë tranziti për 5 vite, në këtë interval u martua me nënën time e cila ishte nga Vuthaj, një fshat në Mal të Zi, shqiptare e Malit të Zi, ishte nga i njëjti fshat me Rexhep Qosen. Kur kam shkuar në Kosovë në vitin 1976 nga Parisi hyra tek zyra e Rexhep Qoses Drejtor i Institutit të Analogjisë atë kohë dhe më tha si qenke nip Vuthash”, është shprehur shkrimtari. /tvklan.al