Mimi-KodheliZbulohet një tjetër skandal akoma më i madh se dekorimi i ish-byroistes Vito Kapo nga Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Kjo e fundit, kishte planifikuar të dekoronte edhe shoqet Nexhmije Hoxha e Rita Marko.

Dekorimi i bashkëshortes së ish- diktatorit Enver Hoxha nga ana e shoqes Mimi, nuk është bërë vetëm pas refuzimit që shoqja Nexhmije i ka bërë dekoratës së saj. Madje, Nexhmije Hoxha ia ka deklaruar refuzimin për marrjen e dekoratës të dërguarve të shoqës Mimi, shumë ditë përpara se të zhvillohej dhe ceremonia e shpërndarjes së 1.000 dekoratave.

“Nuk jam dekoruar. Nuk kam marrë asnjë medalje. Madje dhe po të ma jepnin nuk do ta pranoja, do ta refuzoja e do ta ktheja mbrapsht”.

Kështu u shpreh në media e veja e ish – diktatorit, pas zbulimit se një dekoratë të tillë shoqja Mimi Kodheli ia kishte dhënë ish-byroistes tjetër Vito Kapo. Por burime të sigurta brenda stafit të vetë Ministres së Mbrojtjes shoqes Mimi Kodheli, thonë se dekoratat për shoqet Nexhmije Hoxha dhe Rita Marko ishin bërë gati, dhe do u jepeshin në ceremoninë e famshme ku Mimi shpërndau plot 1.000 medalje të mirënjohjes për ish – partizanë dhe aparatçikë të sistemit komunist.

Vetëm refuzimi nga ana e Nexhmijes dhe Ritës për dekoratat e Mimit ka bërë që ato të mos ishin pjesë e kësaj ceremonie. Nuk dihet si është shprehur Mimi kur ka mësuar refuzimin e Shoqës Nexhmije dhe shoqës tjetër, por gjithsesi mësohet se ajo nuk e ka pritur aspak mirë këtë refuzim të dyfishtë dhe është mërzitur shumë.

Megjithatë ato 50 milionë lekë të buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes të planifikuara për medalje e dekorata për ish-komunistë e byroistë u shpenzuan me sukses dhe Mimit i erdhi disi humori.

Por gjithsesi në nxjerrjen e urdhrit më të fundit të Kryeministrit Rama që ua heq të drejtën Ministrave të përzgjedhin se kush do të dekorohet, ndoshta ka ndikuar sadopak “lumi” i medaljeve pa fre e kufinj që më së shumti u shpërndanë nga Mimi Kodheli për shoqet ish –Ministre e ish –byroiste të kohës së xhaxhit.

Tv Klan