Një nga katër pompat e hidrovorit të Vlorës është përfshirë nga flakët pasi ka punuar me kapacitet të plotë.

Incidenti ka ndodhur në momentin kur pompa po operonte në mënyrë intensive për të përballuar ngarkesën e lartë të punës.

Pas shpërthimit të zjarrit, janë stakuar edhe tre pompat e tjera të hidrovorit, duke bërë që sistemi të ndalojë funksionimin e tij plotësisht.

Gazetarja Greta Haskaj raporton se një ndër shkaqet që solli problemet e përmbytjet ka qenë mosfunksionimi i pompave të hidrovorit të qytetit.

Mbeturina të shumta, të cilat kanë bllokuar kanalizimet dhe niveli i ujit mbi normalen në pompa kanë stakuar punën mbrëmjen e djeshme.

Një punonjës i hidrovorit tha se shkak i nxjerrjes jashtë pune të pompave janë mbeturinat që hedhin njerëzit.

“Në more vëlla këtu, ti e shikon vetë dhe filmon. Këtu na shkatërruan pompat nga llozhat që hedhin njerëzit në kanal. Na nxorrën dy pompa jashtë loje. Shikoji janë me mijëra llozha, dyshekë, jorgan e batanije, rrogoza, çfarë nuk kanë bllokuar. Çfarë të bëjmë? Na ka mbetur tani që të hedhim vetëm krokodila në ujë këtu që t’i hanë me llozhëra ata që hedhin llozha në kanal. Kjo na ka mbetur s’ka më. Na shkatërruan pompat more. Dy pompat e mëdha na i nxorrën jashtë loje. I bëjmë thirrje qeverisë të na bjerë dy pompa të reja. Na i shkatërruan more këta njerëz. Nuk janë njerëz por janë derra. Lloj lloj jorgan, batanije. Kolltuqe, divana, thashë. Të tëra këtu i ke. Kjo ka qenë gjithmonë historikisht këtu në hidrovor dhe janë problem që hedhin njerëzit e pandërgjegjshëm në kanal. Kjo është e vërteta”, tha një punonjës i hidrovorit.  

Gjithashtu një problem ka qenë edhe kanali i ujërave të larta. Sipas specialistëve kanali i ujërave të larta u mbush shpejt dje e për pasojë uji doli jashtë kontrollit./tvklan.al