Katër persona morën pjesë në vendosjen e lëndës eksplozive në një mobileri në Nikël të Fushë-Krujës. Në një njoftim për mediat, policia e Krujës njoftoi këtë të mërkurë arrestimin e dy prej tyre, si dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Ata akuzohen se mbrëmjen e së martës i vendosën eksploziv mobilerisë së një personi me iniciale E.C.. Nga ky shpërthim u dëmtuan vetratat e biznesit.

Kështu, në pranga përfundoi autori i dyshuar D.Xh., si dhe një tjetër person me iniciale B.K. Këtij të fundit, policia i gjeti në banesë edhe një sasi kanabisi.

Ndërkohë në kërkim janë shpallur dhe dy persona të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në këtë ngjarje dhe për të cilët policia thotë se nuk mund të japë gjeneralitetet, për arsye hetimi.

Dy shpërthime të ndodhura thuajse në të njëjtën kohë tronditën Fushë-Krujën rreth orës 23:30 të së martës. Një sasi tritoli iu vendos garazhit ku ndodhej makina e një efektivi të policisë në Fushë-Krujës, duke shkaktuar dëme materiale. Thuajse në të njëjtën orë ndodhi shpërthimi tjetër në mobilerinë në fjalë. Por teksa për rastin e dytë autoritetet arritën të zbulonin autorët, për shpërthimin në garazh ata nuk dihen ende.

/tvklan.al