Edhe pse kundërshtari është i fortë, trajneri i Shpresave, Alban Bushi, e di mirë se si mund të arrihet suksesi. Skuadra e tij edhe pse me shumë mungesa do të përballet me Sllovakinë në takimin që do të luhet në “Selman Stërmasi”.

“Nëse luajmë me vëmendje të plotë nga minuta e parë te e fundit, atëherë ne e fitojmë këtë takim. Mund të them se është një takim i barabartë, me dy Kombëtaret që kanë shanse të barabarta për të fituar. Ndaj Sllovakisë nuk na lejohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores, pasi në të kundërt nuk kualifikohemi”, tha Bushi.

Kapiteni i skuadrës Keidi Bare shfaq edhe objektivin për arritjen e vendi të dytë në të cilin shpreson tek ndihma e sulmuesit Rei Manaj.

“Ne kemi si objektiv vendin e dytë. Por tani ne jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme për të marrë një fitore. Me ardhjen e Reit, ekipi është forcuar më shumë se e dini që është një lojtar goli dhe besoj se do të japë 100% për të fituar ndeshjen e nesërme”, tha Bare.

 Shqipëria e 21-vjeçarëve bën pjesë në grupin dytë të kampionatit të UEFA-s, me kundërshtarë të fortë si Spanja dhe Irlanda e Veriut.

Tv Klan