Ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Europian nuk kanë gjetur konsensusin për një tekst final përsa i përket negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Burime nga Këshilli i Ministrave treguan në përfundim të takimit të ambasadorëve, se synimi është për t’i trajtuar përfundimet me një qasje proceduriale dhe jo substance. Ministrat kërkojnë më shumë kohë për një shqyrtim në substancë në Tetor.

Aktualisht, teksti flet për një mesazh inkurajues për Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që nuk është e njëjta gjë për Shqipërinë.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian do të vendosin të martën për hapjen apo jo të negociatave të antarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në samitin që do të zhvillohet në Luksemburg.

Më herët gjatë kësaj të hëne, shefja e diplomacisë europiane Federica Mogherini bëri thirrje për një vendim pozitiv për dy vendet, si vlerësim për reformat e ndërmarra.

Megjithatë, sipas Deutsche Welle, vendimi pritet të shtyhet për në Shtator të këtij viti, pas vendimit të qeverisë së Holandës që e konsideron hapjen e negociatave për Shqipërinë, si të parakohshëm.

Tv Klan