Britanikja “The Telegraph” shkruan se të rinjtë nisen nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe dhe përfshihen në aktivitetin e trafikut të drogës me dijeninë e prindërve të tyre. Këta të fundit marrin premtimin e kontrabandistëve se do të përfitojnë të ardhura të konsiderueshme nga fëmijët e tyre, të cilët më pas i përfshijnë në aktivitetin e tyre të trafikut të drogës.

The Telegraph” i referohet një investigimi për këtë çështje, duke cituar edhe specialistin e sigurisë, Steve Harvey, i cili thotë: “Shumica e djemve dhe të rinjve shqiptarë kontrabandohen me nxitjen e prindërve të tyre dhe marrin premtime nga trafikantët se do të shpërblehen financiarisht. Familjarët dhe trafikantët kanë rënë dakord për mënyrën se si do të përfitojnë financiarisht nga marrëveshja mes tyre. Trafikantët u premtojnë atyre para dhe punë, ose në rastin kur fëmijët nuk janë të rritur u ofrojnë strehim, veshje dhe gjëra të nevojshme për jetesë”.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani të Madhe, shqiptarët përbëjnë numrin më të madh të emigrantëve të kontrabanduar në shtetin ishullor. 947 raste janë shënuar në vitin 2018, 50% më shumë krahasuar me vitin 2015.

“Gangsterët, veçanërisht banda e njohur e shqiptarëve ‘Hellbanianz’ në jug të Londrës, promovojnë stilin e tyre të jetesës tek adoleshentët në vendlindjen e tyre përmes rrjeteve sociale”, shkruan Telegraph.

“Trafikantët e drogës kanë gjithëmonë rekrutë të rinj sepse prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre të largohen jashtë vendit sa më të rinj që të jenë”, thuhet në një raport të autoriteteve britanike. /tvklan.al