E.Sinani ndodhej në një lokal në Milton Keynes, kur u rekrutua për t’u kujdesur për një fermë kanabisi në Burnley. Në seancën gjyqësore të zhvilluar në Blackburn të Britanisë së Madhe u tha se 26-vjeçari shqiptar e pranoi punën sepse kishte ngelur i papunë për shkak të Covid-19.

Sinani u shpall fajtor për prodhim kanabisi dhe dënimi për të pritet të jepet më 30 Tetor.

Prokurori i çështjes tha se policia e kishte zbuluar fermën e kanabisit ndërkohë që kishin shkuar në Dane Street pasi ishin sinjalizuar për një grabitje. Ata zbuluan 55 bimë të maturuara në banesën e cila ishte përshtatur për kultivimin e drogës.

Sinani e pranoi rolin e tij si mirëmbajtës i bimëve. Ai pranoi gjithashtu se kishte shkuar në Mbretërinë e Bashkuar i në 2016-n, i fshehur në një kamion.

I riu tha se 2 muaj më herët kishte qenë i ulur në Costa Coffee, kur nisi të bisedonte me një shqiptar i cili ishte ulur në tavolinën ngjitur. Ai i kishte ofruar punën për t’u kujdesur për bimët narkotike.

Avokati mbrojtës i shqiptarit tha se ai kishte qenë thjeshtë një “kopshtar” dhe nuk ishte i përfshirë me organizatën që qëndronte pas kësaj fabrike.

“Bënte një punë që udhëzohej nga të tjerët dhe kishte një rol të papërfillshëm. Prej 4 vjetësh në Britani ka qenë i punësuar dhe nuk ka pasur kurrë probleme me drejtësinë“, argumentoi mbrojtja./tvklan.al