Rrëfen për CNN si u mbajt peng për pagesën e borxheve

I skllavëruar për të kultivuar hashash. E tillë ishte jeta e këtij shqiptari në Britaninë e Madhe. Identiteti i tij nuk është bërë i ditur për arsye sigurie, por rasti i tij është publikuar nga rrjeti prestigjioz televiziv amerikan CNN.

Ai rrëfen se kishte shkuar për të punuar në Britani përmes rrugëve të jashtëligjshme, për të shlyer borxhet që kishte marrë për kurimin e babait të sëmurë. Në duart e kultivuesve të kanabisit, thotë se ra pasi me punë të ndershme nuk shlyente dot borxhet në kohë. Ndaj dhe kishte punuar në një shtëpi ku kultivohej hashash, kushtet në të cilën thotë se ishin më keq se burgu.

“Do të ishte më mirë burgu se aty brenda. Ata kishin krijuar kushte për bimët sepse ato ishin më të rëndësishmet, jo për mua. Kisha një dyshek me ajër dhe një mbulesë për t’u mbuluar. Lejohej të dilja një herë në javë për të paguar taksat dhe për të blerë ushqime”.

Teksa shëndeti i tij përkeqësohej, shqiptari rrëfen se ishte shpëtuar gjatë një operacioni të befasishëm të policisë. Shprehet se policët britanikë ishin sjellë shumë mirë dhe tani është strehuar në një qendër për mbrojtjen e viktimave të skllavërisë. Është në pritje të procedurave të azilit, por rrezikon dëbimin drejt Shqipërisë, ku thotë se i rrezikohet jeta pasi trafikantët mund të hakmerren.

Tv Klan