Komandanti i forcave ndërkombëtare në Afganistan paralajmëroi të shtunën se do të ishte gabim që kryengritësit të sulmonin trupat e huaja ende të pranishme në vend, pas kalimit të afatit të 1 majit për tërheqjen e tyre, për të cilin u ra dakord vitin e kaluar me militantët talebanë.

Komentet e gjeneralit amerikan Scott Miller erdhën pas njoftimit të zëdhënësit të forcave të huaja, i cili tha se në një bazë ajrore në Kandahar kishte patur “zjarr indirekt, joefektiv”, që nuk kishte shkaktuar dëme.

Në kryeqytetin e Afganistanit Kabul janë shtuar masat e sigurisë ndërsa qyteti përgatitet për reagimin e talebanëve, pasi me urdhrat e reja të Presidentit Joe Biden, trupat amerikane do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe pas afatit të 1 majit, kur ishte planifikuar të fillonte tërheqja në bazë të marrëveshjes me administratën paraardhëse.

Një zyrtar i paidentifikuar i sigurisë tha se qyteti është vënë në “gatishmëri të lartë”. Sipas tij, patrullat ushtarake dhe masat e sigurisë po shtohen edhe në qytetet e tjera kryesore.

Sipas marrëveshjes së administratës Trump me talibanët të arritur në shkurt të vitit të kaluar, forcat e huaja do të tërhiqeshin nga vendi deri më 1 maj dhe talibanët ndalën sulmet ndaj trupave dhe bazave të huaja. Por Presidenti Biden njoftoi muajin e kaluar se forcat do të qëndronin në vend edhe disa muaj të tjerë dhe do të tërhiqeshin deri në 11 shtator.

Dhuna ndaj afganëve është shkallëzuar mjaft javët e fundit, gjatë të cilave janë vrarë më shumë se 100 forca afgane të sigurisë. Në prag të afatit të tërheqjes për të cilin ishte rënë dakord më parë, dhjetra njerëz u vranë në një shpërthim të madh në provincën Logar, ndërsa kishin përfunduar agjërimin për Ramazan. Nuk dihet se kush ishte prapa sulmit.

Talibanët iu përgjigjën vendimit të administratës Biden me retorikë të ashpër dhe me kërcënime për pasoja, duke bojkotuar një konferencë të rëndësishme në Turqi të planifikuar për muajin e kaluar dhe që duhet të ndihmonte për zhbllokimin e bisedimeve të paqes./VOA