Shtyhet të premten vendimi për Saimir Tahirin


Shtyhet të premten vendimi për Saimir Tahirin

15:44 24/06/2020

Ish-ministri kërkon pafajësi, Prokuroria dënimin me 12 vite burg

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shtyu për të premten seancën e fundit ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku pritet të japë vendimin përfundimtar në lidhje me akuzat e shpërdorimit të detyrës.

Përpara se të futej në ambientet e gjykatës, Tahiri nuk i ka kursyer batutat me gazerarët, duke këshilluar një nga operatorët që të bënte kujdes se po humbte ekuilibrin. Pas përgjigjes së operatorit se ishte mësuar me këtë punë, Tahiri preferoi të shkëmbente një batutë: “Po po kështu e hanë të gjithë”.

Seanca në Gjykatën e Apelit zgjati pak minuta, ndërsa trupa gjykuese e drejtuar nga gjyqtari Dhimitar Lara dhe dy anëtarët Albana Boksi dhe Nertina Kosova vendosën që të shpallin vendimin të premten në orën 13:00. Ky vendim nuk u komentua nga Tahiri, ndërsa nuk munguan në seancë edhe përfaqësues të ambasadës amerikane që e kanë monitoruar gjatë gjithë kohës këtë proces.

Shtatorin e kaluar ish-ministri Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar, në 3 vite e 4 muaj shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre. Me të njëjtën akuzë u dënua me 5 vite burg edhe ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.  

Nga ana tjetër, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkonte dënimi me 12 vite burg, me akuzën se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve për të trafikuar lëndë narkotike drejt Italisë.

Tv Klan





Të ngjashme