Shtypi grek zbardh diskutimet Rama – Tsipras

Shtypi grek zbardh diskutimet Rama – Tsipras

16:59 12/04/2019

Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Alexis Tsipras u takuan ditën e sotme në Dubrovnik si pjesë e Samitit 16+1 mes vendeve të Europës Juglindore dhe Kinës. Shtypi grek ka zbardhur edhe diskutimet mes dy Kryeministrave.

Sipas agjencisë greke të lajmeve, duke iu referuar burimeve diplomatike, Tsipras bëri të qartë se kriteri kryesor për hapjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, është respektimi i të drejtave të minoritetit grek. Rama dhe Tsipras diskutuan për të drejtën e pronës së minoritetit, dhe në këtë kontekst, Kryeministri Tsipras e konsideroi hap pozitiv zgjidhjen e problemit të pronës së minoritetit grek në Himarë, çështje për të cilën disa ditë më parë pati edhe një telefonatë mes dy Kryeministrave.

Agjencia greke e lajmeve shprehet gjithashtu se në diskutimin me Alexis Tsipras, Kryeministri Edi Rama u zotua se do të përmbushë standardet e Bashkimit Europian në lidhje me respektimin e të drejtës së pronës së minoritetit. Rama-Tsipras folën edhe për tekstet shkollore, për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe investimet në infrastrukturë.

/tvklan.al

Të ngjashme
UKT