Ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare George H.W. Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prej vitesh ai ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe ishte diagnostikuar me Parkinson. Megjithatë sëmundjet nuk e penguan të dilte publikisht në aktivitete të ndryshme.

George H.W. Bush shërbeu si presidenti i SHBA-ve vetëm 4 vjet, nga 1989 në 1993. Mandati i tij në krye të Shtëpisë së Bardhë përkoi me vitet më delikate të historisë moderne të Shteteve të Bashkuara. Me një diplomaci të dallueshme, Bush drejtoi SHBA-të gjatë përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ai fitoi luftën e parë të Gjirit kundër regjimit të Sadam Hussein-it. Atë që nisi babai e përfundoi i biri, George W. Bush, në vitin 2006.

George H.W. Bush ishte një president vendimtar edhe për fatin e shqiptarëve. Në Dhjetor 1992, ai nxori të ashtuquajturin “paralajmërim të Krishtlindjeve”, një letër drejtuar presidentit serb Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga Beogradi, SHBA-të do të ishin gati të përdornin forcën ushtarake. Pavarësia e Kosovës u arrit nën presidencën e djalit të tij George W. Bush, në Shkurt 2008.

Presidenti Bush ishte veteran lufte dhe një nga pilotët më të rinj të Ushtrisë Amerikane në Luftën e Dytë Botërore. Në vitin 2011, presidenti Barak Obama i dha Medaljen e Lirisë, titulli më i lartë civil në SHBA.

Tv Klan