Sarah Harding humb betejën me kancerin e gjirit

Sarah Harding, këngëtarja e grupit të Pop-it Girls Aloud, humbi betejën me kancerin e gjirit. Ajo ishte vetëm 39 vjeçe dhe ndërroi jetë mëngjesin e kësaj të diele.

Këngëtarja zbuloi në Gusht të 2020s se ishte diagnostikuar me kancer, që ishte shpërndarë në pjesë të tjera të trupit. Lajmin e vdekjes e dha nëna e 39-vjeçares, e cila në një postim në Instagram e përshkruajti të bijën “një yll të bukur të shndritshëm”.

“Me hidhërim të thellë ndaj me ju sot lajmin se vajza ime e bukur Sarah ka ndërruar jetë. Shumë prej jush e dinë betejën e Sarah-s me kancerin dhe se ajo luftoi fort deri në ditën e fundit. Ajo u shua në paqe këtë mëngjes. Dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen tuaj përgjatë këtij viti. Do të thoshte shumë për Sarah-n dhe i dha forcë e kurajë. E di që ajo nuk do të mbahet mend për luftën kundër kësaj sëmundjeje të tmerrshme, ajo ishte një yll i shndritshëm dhe shpresoj që pikërisht kështu të mbahet mend”, shkruajti e ëma e këngëtares së ndjerë.

Harding u bë e famshme në vitin 2002. Ajo ishte konkurrente në një talent show muzikor. Ajo shkoi në finale dhe fitoi një vend në grupin që u quajt Girls Aloud, së bashku me Nicola Roberts, Nadine Coyle, Kimberley Walsh dhe Cheryl Cole.

Më herët gjatë këtij viti, Harding tregoi se mjekët i kishin thënë se nuk do të gëzonte një Krishtlindje tjetër…

Sarah Harding lindi më 17 Nëntor të 1981, në Ascot, Berkshire të Britanisë së Madhe./tvklan.al