Gjatë izolimit si pasojë e pandemisë duhet t’i kushtoni kujdes të veçantë trupit tuaj dhe të ndiqni një mënyrë jetese të shëndetshme.

Si pasojë e qëndrimit në shtëpi dhe mungesës së lëvizjes rriten shanset për dhimbje të muskujve, sidomos për personat që vuajnë nga artriti.

Mjeku Ramneek Mahajan u shpreh se për pacientët me artrit është e rëndësishme një jetë aktive, për të menaxhuar në mënyrë efektive dhimbjet.

Ai këshillon lëvizjet brenda shtëpisë çdo orë, për të mbajtur muskujt aktivë dhe gjithashtu të shmanget qëndrimi ulur në një vend, për një kohë të gjatë.

Për individët që punojnë nga shtëpia këshillohet të bëjnë pushime të shpeshta gjatë ditës dhe njëkohësisht të përfshijnë në rutinën e tyre të përditshme edhe ushtrime për mbajtjen e peshës në kontroll.

Ushtrimet luajnë një rol vendimtar në menaxhimin e dhimbjeve të artritit. Ato mund të ndikojnë në cilësinë e jetës së një personi nëse nuk trajtohen siç duhet.

Për të shmangur dhimbjet e muskujve këshillohet një dietë e pasur me vitamina dhe minerale. Duhet të pini të paktën tetë gota ujë çdo ditë, për të zvogëluar inflamacionin.

Edhe një gjumë i qetë gjatë natës mund të ndihmojë në reduktimin e dhimbjeve dhe stresit./tvklan.al