Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Drejtoria e Policisë së Tiranës njoftoi një ditë më parë, ndalimin e dy biznesmenëve të akuzuar për kontrabandë dhe evazion fiskal, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, që ishin prokura të licencave të noterizuara, në emër të agjencisë doganore “Ujori”. Gazeta “Korrieri” në numrin e saj të fundit, duke cituar burime nga drejtoria e policisë zbardh skemën e kontrabandës.

Tre persona, dy prej tyre të arrestuar Oltjon Çadra dhe Dylber Koni, importonin në Shqipëri mallra të ardhur nga Kina. Në akuzë në lidhje me falsifikimin e këtyre dokumenteve është edhe një notere nga Tirana, ndërsa drejtoria e policisë po heton dhe në lidhje me agjencinë doganore, që ka pranuar këtë dokumentacion, që rezulton i falsifikuar.

Kjo agjenci me emrin “Ujor”, rezulton në pronësi të familjes së prefektit të Elbasanit Qazim Sejdini. Dëmi ekonomik, që mendohet se është shkaktuar nga kontrabanda dhe evazionit fiskal gjatë hyrjes në doganë të mallrave tregtare, mendohet se është rreth 1 miliard lekë.

Pas publikimit të fakteve në fjalë, prefekti i Elbasanit Qazim Sejdini, deklaron se veprimet e agjentit doganor, konkretisht agjencisë “Ujori”, janë konform ligjit dhe kodit doganor.

Qazim Sejdini:- “Në qoftë se, pranë degës së agjencisë doganore, paraqitet një prokurë, që formalisht është e rregullt, as punonjësi i agjencisë doganore dhe as punonjësi i doganës, nuk është në gjendje të verifikojë në vend, nëse kjo është e falsifikuar apo jo. Janë organet kompetente ligjore, që vendosin mbi këtë problem. Pra veprimet e agjentit doganor, i cili është direkt person përgjegjës, për punën që ai kryen, janë konform ligjit dhe kodit doganor”./tvklan.al