Skandali i publikuar në “Stop”, PD për vjedhjen e pacientit në spital: Prokuroria të hetojë rastin



Skandali i publikuar në “Stop”, PD për vjedhjen e pacientit në spital: Prokuroria të hetojë rastin

21:50 19/01/2021

Partia Demokratike me anë të ish-deputetit, Bardh Spahia, ka reaguar pas publikimit të skandalit në emisionin “Stop” në Tv Klan, ku një pacienti i ishin vjedhur paratë në spitalin Covid1. Spahia në një postim në mediat sociale shkruan se “emisioni investigativ “Stop” na solli fakte se një pacienti i është vjedhur karta e bankës brenda  në spital, ditën kur hyri në intubim”.

Një rast tjetër i rëndë dhe revoltues tek spitali COVID 1. Një tjetër qytetar i vjedhur në rrethanat më të pamendueshme. Emisioni investigativ “Stop” na solli fakte se një pacienti i është vjedhur karta e bankës brenda  në spital, ditën kur hyri në intubim. Tërheqja e parave janë bërë për 3 ditë me radhë, derisa pacienti humbi jetën në spital”, shkruan ai.

Më tej ai i bën thirrje Prokurorisë që të hetojë rastin e publikuar dhe shton se pas fshihet një “Tire” tjetër.

Prokuroria duhet të bëjë hetim urgjent për të këtë ngjarje të paprecedentë. Një “Tire” tjetër, akoma më mostër, që vjedh edhe të vdekurit, nuk duhet të ketë vend në spitalet tona.

Për fat të keq, në këto 8 vjet, Edi Rama kaloi nga shëndetësia falas tek shëndetësia e Tires. Kjo qeveri ka frymëzuar vetëm “tiret”, që vjedhin pacientët dhe u bëjnë shantazh qytetarëve me jetën e tyre. Kjo duhet të marrë fund! Shqiptarët nuk meritojnë të vidhen nëpër spitale! Na duhet një qeveri që do të bëjë ndryshimin!”, përfundon reagimin Bardh Spahia./tvklan.al






Të ngjashme