Biznesmeni Idlir Karkini, i shpallur në kërkim për tjetërsim të një pronë që dikur rezulton të ketë qenë në inventarin e Forcave Ajrore, nuk gjendet në Shqipëri.

Ai është larguar jashtë vendit me 11 Shkurt të këtij viti dhe nuk është kthyer. Televizioni Klan ka mësuar se Karkini ka dalë nëpërmjet Aeroportit të Rinasit, me destinacion fillestar Italinë.

Biznesmeni, sipas policisë dhe prokurorisë, rezulton si përfitues i pronave me nr 97/1 dhe 97/2, në pronësi të Komandës së Forcës Ajrore në Spille, që i përkasin një ish-poligoni ushtarak. Këto prona kane një sipërfaqeje prej 110 mijë m2 tokë në zonën e Spillesë.

Rezulton se Ministria e Mbrojtjes kishte kërkuar disa herë regjistrimin e këtyre pronave në periudhën 2005 – 2007, por pa rezultat.

Karkini e ka regjistruar më pas atë në pronësi të tij në vitin 2016, por Komanda e Forcës Ajrore dhe policia e Rrogozhinës kanë bërë një kallëzim penal.

Për ndryshimin e zërit kadastral ka shërbyer një shkresë e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar Hipotekës së Kavajës, por prokuroria thotë se kjo shkresë është e falsifikuar.

7 persona të tjerë, mes të cilëve ish-kryeregjistruesi i Kavajës dhe disa ish-nëpunës së Bashkisë së Rrogozhinës janë marrë në ndjekje penale.

Idlir Karkini është përmendur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të kryer në Ministrinë e Mbrojtjes, në vitin 2015, si fitues i një tenderi për furnizimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e radarëve të Ushtrisë, me vlerë 1 milionë euro, edhe pse kompania e tij rezultonte se ishte vetëm një dyqan celularësh në rrugën e Durrësit.

Mos arrestimi i Karkinit ka bërë që operacioni i paralajmëruar më herët edhe nga Ministri i Brendshëm të mos jetë i plotë, kjo ndoshta edhe për shkak të dekonspirimit të tij nga brenda radhëve të policisë.

Tv Klan