FierzeMë në fund reaguan! Dhe reaguan jo pasi i kishin parë këto pamje me sytë e tyre përditë por reaguan pasi i panë nga ekrani i Televizionit Klan. Të mërkurën nis aksioni për pastrimin e Liqenit të Fierzës i shndërruar në një hambar mbeturinash plastike, spitalore, kimike dhe urbane. Largimi i këtyre tonelatave mbetje do të kryhet nga punonjësit e shërbimit publik. Paisjet si varkat do tu merren borxh subjekteve private të peshkimi ndërsa nxënësit e shkollave nuk do të përfshihen në aksion.

Paralelisht me pastrimin e sipërfaqes së ujit do të identifikohen njësitë vendore që derdhin mbetje urbane në liqen.

Në mbledhjen e zhvilluar në Këshillin e Qarkut të Kukësit u kërkua ndërhyrja e Ambasadës Shqiptare në Prishtinë për të biseduar me drejtuesit e komunave të Prizrenit dhe Gjakovës, mbeturinat e të cilave derdhen në Fierzë.

Kjo katastrofë mjedisore e krijuar ndër vite është produkt i derdhjes së mbeturinave më së shumti përmes Drinit të Bardhë nga Kosova dhe Drinit të Zi nga Maqedonia. Çdo 6 muaj mbetjet dalin në sipërfaqe ndërsa vetëm një herë është marrë një iniciative vullnetare për pastrimin liqenit. Kjo është ndotja më e madhe e shfaqur në liqenin e Fierzës që nga krijimi në vitin 1978, ndotje e cila po rrezikon zhdukjen e faunës dhe florës.

TV KLAN