“Të ketë transparencë dhe konkurrencë në tender”

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca flet për herë të parë për çështjen e Teatrit Kombëtar. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, diplomati europian thotë se janë autoritetet shqiptare që duhet të vendosin për shembjen apo jo të godinës ekzistuese. Teksa e quajti këtë debat si delikat dhe të politizuar, ai tha se me rëndësi është që gara të jetë transparente.

“Kjo çështje është delikate dhe e politizuar. Sigurisht që nuk duhet të jemi ne ata që duhet të shprehemi nëse duhet të ketë ndërtesë të re apo të ruhet e vjetra. Këtë përgjigje e japin autoritetet shqiptare. Për ne si BE rëndësi ka sundimi i ligjit dhe shtetit të së drejtës, procedurat e tenderit duhet të jenë në përputhje me ato të BE dhe të respektohet e drejta e fjalës. Tenderi është i hapur deri në muajin Shtator. Brenda periudhës së tenderimit të sigurohet një konkurrencë e drejtë sipas rregullave”.

Por artistët protestues, të pranishëm në takim mohuan që protesta e tyre të jetë politike. Një vit më parë, Komisioni Evropian u kërkoi sqarime autoriteteve shqiptare për ndryshimet e bëra në ligj që i hapën rrugë garës për godinën e re. Autoritetet shqiptare ndryshuan ligjin, duke hapur garën për projektin. Tenderimi pritet të mbyllet në 17 Shtator. Një grup artistësh vijojnë protestën në mjediset e Teatrit.

Tv Klan