Ky 1 Prill shënon 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka reaguar lidhur me këtë datë, duke theksuar se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave me BE.

“Sot është një datë historike në rrugëtimin euro-atlantik të Shqipërisë. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin e Strasbourg/Kehl, më 4 prill 2009. Më 7 prill 2009, në në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit të Shqipërisë në NATO. Anëtarësimi në NATO ishte kurorëzimi i arritjeve dhe kontributeve të Shqipërisë për sigurinë, stabilitetin dhe paqen. Gjatë këtyre 12 vjetëve Shqipëria është sprovuar si një anëtare e denjë e Aleancës dhe ka kontribuar në misionet e saj në ndihmë të paqes e sigurisë në disa rajone të planetit. Shqipëria, me rrënjë, kulturë dhe aspirata euro-atlantike, arriti para 12 vjetësh në një nga stacionet perëndimore të saj, në atë të sigurisë dhe paqes. Sot jemi në portat e BE-së, stacionit të zhvillimit e mirëqenies, dhe të gatshëm për çeljen e negociatave. Me mbrritjen në këtë stacion, Shqipëria dhe shqiptarët i japim fund pozicionit asimetrik midis identitetit tonë europian, pozicionit tonë euro-atlantik dhe të cilët po vijohen e plotësohen nga bashkimi me familjen europiane dhe kthimin e plotë në habitatin politik europian. Shqipëria në NATO dhe në portat e BE-së janë meritë e të gjithë shqiptarëve. Por sot është rasti të shprehim mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për mbështetjen e fuqishme të rrugëtimit tonë euro-atlantik”, shkruan Ruçi në mesazhin e tij.

Për këtë ngjatje ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook, shkruan se Shqipëria ka zënë vendin e saj në Aleancën e NATO-s, jo thjesht si një anëtar formal, por tashmë si një partner i dobishëm e i besueshëm.

“12 vjet ne NATO – Prej 12 vjetësh, Shqipëria ka zënë vendin e saj në Aleancën e NATO-s, jo thjesht si një anëtar formal, por tashmë si një partner i dobishëm e i besueshëm. Nuk ka shembull më të dukshëm të kësaj dobie e besueshmërie, sesa rritja dhe përsosja e EOD, një strukturë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila ka bërë emër të mirë dhe e ka nderuar vendin tonë në gjirin e NATO-s me suksesin e saj”, shkruan Peleshi.

Gjithashtu nuk ka munguar as reagimi nga ana e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, e cila shkruan në Facebook se sfida jonë është integrimi në BE.

“12 vite punë e përkushtim dhe ia kemi dalë të fitojmë besimin e aleatëve si partnerë të besueshëm dhe kontribues seriozë në sigurinë kolektive të Aleancës. Sot, sfida jonë është integrimi në BE. Me shumë punë e shumë përkushtim edhe kjo sfidë do të fitohet hap pas hapi, duke filluar nga mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda këtij viti!”, shkruan Xhaçka./tvklan.al

1️⃣2️⃣VJET NË NATO🇦🇱 12 vite punë e përkushtim dhe ia kemi dalë të fitojmë besimin e aleatëve si partnerë të besueshëm…

Posted by Olta Xhacka on Thursday, April 1, 2021