Vendimet e marra nga Kuvendi Kombëtar i 18 Dhjetorit

1-Shpallja non grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë.

2-Të mbështesë fuqimisht iniciativën për dekomunistizimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike dhe partitë politike.

3-Kuvendi ngarkon organet e Partisë Demokratike për zbatimin e këtij vendimi.

-Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Ora 18:39 – Basha: Sot ka pasur vetëm 1 aktivitet, Kuvendi Kombëtar i PD! Nuk ka referendum dhe Komision Rithemelimi

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka folur nga selia pas përfundimit të Kuvendit. Ai tha se ditën e sotme ka pasur vetëm 1 aktivitet në PD dhe ky është Kuvendi. Basha u shpreh se nuk ka Komision Rithemelimi dhe as referendum. Në fund, kryetari i PD-së u shpreh se për një kohë të gjatë ka vendosur interesat e Berishës mbi interesat e kryetarit të PD dhe ndonjëherë edhe të demokratëve, por kjo ka marrë fund ditën e sotme.

Lulzim Basha: E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve. Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve që është shtëpia e lirisë. Do të qëndrojmë me vetëdijen për të gjitha gabimet e së kaluarës duke përfshirë edhe atë që pastaj vuri në lëvizje një revansh 8-vjeçar mbi Shqipërinë që ndaloi atë që do kishte qenë sot Shqipëria në Be. Gabimet e të kaluarës, në veçanti ku përsëriten në mënyrë tragjikomike nuk do të marrin peng më PD-në dhe demokratët. Sot ka pasur vetëm një aktivitet të PD, ai ka qenë Kuvendi Kombëtar i demokratëve.

Ka zëra se Berisha dhe Komisioni i rithemelimit do të vijnë në selinë blu për të shpallur rezultatin e referendumit sot. Do të jeni këtu, do ta prisni rezultatin?

Lulzim Basha: Nuk ka referendum, nuk ka komitet rithemelimi. Ka 1 PD dhe 1 Kuvend Kombëtar që sot mori vendimin e tij!

Nuk respektoni ata anëtarë që sot për më shumë se 8 orë iu drejtuan qendrave të votimit në të gjithë vendin?

Lulzim Basha: Ju nuk keni asnjë informacion se ata janë anëtarë të PD. Unë di se ka disa anëtarë të PD të cilëve iu bëj thirrje që t’i bashkohen vendimeve të institucioneve të PD.

A do të qëndrojë e hapur selia për ata që duan të shpallin rezultatin për atë aktivitet që ju nuk po e konsideroni?

Lulzim Basha: PD ka pasur një aktivitet sot, rezultatin është shpallur. Sot PD ka pasur vetëm një aktivitet. Ka një Parti Demokratike që ka pasur 1 Kuvend Kombëtar sot. Të tjerat janë përpjekje personale të një njeriu për t’i kthyer demokratët në mish për top. Kjo do të refuzohet me vendosmëri të prerë.

Ju ndërroi mbiemrin ju quajti Lul Brava?

Lulzim Basha: As nuk i kam dëgjuar deklaratat e tij sepse për një kohë të gjatë kam vendosur interesat e tij, sigurisht mbi interesat e kryetarit, por kam frikë se nganjëherë edhe mbi interesat e demokratëve. Kjo kohë mori fund sot.

Ora 18:15Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike mbylli punimet

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike mbylli punimet. Me votën e 5002 delegatëve, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ndryshoi sërish statutin. Ndryshimi i parë ishte propozimi i nënkryetarit Enkelejd Alibeaj, për mos lejuar në hiearkinë e partisë asnjë individ të shpallur Non Grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke iu referuar ish-kryeministrit Berisha për mos e lejuar atë të kryesojë asnjë prej strukturave të partisë.

Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha miratoi edhe rezolutën e propozuar nga Këshilli Kombëtar që nuk njeh Kuvendin e 11 Dhjetorit, i cili përveçse ndryshoi statutin e Partisë, votoi dhe për shkarkimin e kryetarit. Me shumicë votash, delegatët i quajtjen “nul” të gjitha vendimet e marra gjatë Kuvendit të Berishës, përfshirë dhe shkarkimin e nënkryetarëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.

Ndërkohë, krijimi i një strukture të re organizative që u ngrit në këtë Kuvend, synon të bëjë aleancë me qytetarët dhe t’i përfshirë në vendimmarrje. Përgatitja e strukturave të partisë për zgjedhjet e ardhshme ishte vendimi i fundit i marrë në Kuvendin e thirrur nga kryetari Lulzim Basha. Emrat e 5004 delegatëve të pranishëm, sipas Enkelejd Alibeajt do të bëhen publik ditën e diel.

17:48 – Kadilli: PD në prag ndarje. Ka vetëm një mundësi që kjo të shmanget

Fatbardh Kadilli ishte i drejtpërdrejtë me Lulzim Bashën në fjalën e mbajtur në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Kadilli tha se Kuvendi i mbajtur me 11 Dhjetor është një realitet që nuk mund të mohohet dhe se Partia Demokratike gjendet në prag të ndarjes përfundimtare në dy parti.

“Të dashur delegatë ju mund të jeni të pavetëdijshëm, të painteresuar, të ekzaltuar dhe të besoni se bëtë sot historinë. Por realiteti është se PD gjendet në prag të ndarjes përfundimtare të saj në dy parti. Ka një realitet këtu, po ka dhe një realitet që e pamë më datë 11. Kush e mohon këtë do të thotë i ka vënë në perde syve. Çfarë do të sjellë dhe fundin e saj nëse ne vazhdojmë të jemi të verbër. Unë e di që disa nga udhëheqësit që janë këtu, kjo ndoshta nuk i shqetëson. Janë të kënaqur të marrin atë copë të vogël të PD, sado e vogël apo e madhe qoftë. Por kjo do ishte vrastare për partinë tonë, që është e vetmja mundësi për një opozitë të vërtetë, ndaj një regjimi shkatërrues, rrënimtar”.

Për Kadillin ka vetëm një mundësi që ky skenar të shmanget. Dorëheqja e Bashës dhe ndalimi i kandidimit të Sali Berishës.

“Ka vetëm një mundësi që ky skenar të shmanget, dorëheqja e Lulzim Bashës dhe ndalimi i kandidimit të Sali Berishës. Ju nuk do të vini kurrë në pushtet sepse jeni konsumuar dhe keni humbur besimin e njerëzve. Ndaj jepini një shans PD duke u larguar. Ikja juaj, jo vetëm do hapte rrugë për ndryshimin e thellë të PD, por është e vetmja mundësi për të shmangur kthimin në krye të saj të Berishës, qoftë edhe në pjesën e tij të PD. Edhe disa udhëheqës të tjerë të konsumuar dhe të diskretituar. PD nuk mund ta sjellë në pushtet as Basha as Berisha. PD mund ta sjellë në pushtet vetëm një ekip i ri, i pastër dhe i aftë. Një ekip që ka ide dhe vizion të ri. Ky ndryshim mund të vijë vetëm nëse ne garantojmë: 1-Largimin e kryetarit humbës nga drejtimi i partisë; 2-Votën e anëtarësisë për të gjithë vendimet e rëndësishme, përfshirë zgjedhjen e kandidatëve; 3-Krijimin e një administrate profesionale dhe të paanshme që administron partinë”.

Ora 17:32 – Basha mbledh Kryesinë pas përfundimit të Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të mbledhë Kryesinë pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të 18 Dhjetorit.

Kujtojmë që ditën e sotme, Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha votoi atë që kryetari i PD e paralajmëroi që në fjalën e tij për të laguar ish-Kryeministrin Sali Berisha nga funksionet drejtuese.

“Ne do të lëmë jashtë radhëve tona të shpallurit non grata nga SHBA. Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cënojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionalizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarëve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”, tha Basha.

Ndërkohë kreu i komisionit të punimeve të Kuvendit Jemin Gjana tha se në sallë ndodheshin 5004 delegatë.

“Të dhënat që kam këtu konfirmojnë se ne kemi shumicën dërrmuese të delegatëve. Kryesia e PD në mbledhjen e djeshme ka vendosur që në ndihmë të punës për menaxhimin  e Kuvendit të krijojë një komision me të cilin janë ndjekur procedurat e regjistrimit të delegatëve dhe vendimmarrjen. Sipas prezencës të nënshkruar prej secilit delegat, janë të pranishëm në Kuvendin e datës 18.12.2021 janë të pranishëm 5004 delegatë. Propozoj që nesër 5004 emrat të bëhen publik emrat e të gjithë delegatëve që kanë marrë pjesë në këtë Kuvend”, tha Gjana.

Ora 17:14 – Duma-Bashës: Je kryetari legjitim i PD-së, por mbështeja ime pa kushte për ty ka marrë fund

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e 18 Dhjetorit është shprehur se ndjen keqardhje për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Megjithatë ajo shtoi se nuk ndodhet në atë kuvend për t’u bërë maska anti-zhgënjim e Lulzim Bashës. Ajo u shpreh se në mitingun e 11 Dhjetorit, kanë marrë pjesë demokratë që kanë dashur të largojnë Bashën nga drejtimi i partisë, prandaj e kanë parë Berishën si mjet dhe jo qëllim.

“Unë nuk mund të isha kurrsesi në një miting personal të Sali Berishës. Megjithatë ndjej keqardhje të madhe për damkosjen e tij me vulën e listës së zezë të SHBA, por demokrate dhe demokratë unë nuk jam këtu kurrsesi për t’u bërë maska anti-zhgënjim e Lulzim Bashës. Ishin pasojat e gabimeve tona dhe padyshim edhe kryetarit tonë që e çuan qindra demokratë në atë mitingun e 11 Dhjetorit të inatosur me gjendjen politike të familjes sonë. Kam qenë me sytë, me veshët hapur ndaj atyre demokratëve atje që nuk shtuan atje për të luftuar Amerikën bashkë me Sali Berishën, por disa ishin për të larguar kryetarin e partisë përmes një kryengritjeje tërësisht personale dhe thellësisht antiamerikane të Berishës. Sali Berisha ishte mjeti dhe jo qëllimi i tyre.  Ky është vitit 2021, jo 1914 dhe Shqipëria nuk mund dhe nuk do të kthehet 100 vjet mbrapa hipur mbi mushkën e marrëzisë Haxhi Qamiliste”, tha Duma.

Duma tha ndër të tjera se Sali Berisha nuk ia ka kërkuar Lulzim Bashës dorëheqjen deri kur iu shkelën interesat e veta. Por pavarësisht gjithçkaje, Duma tha se Basha është kryetari legjitim i PD-së.

“Lulzim Basha doli humbësi i vetëm tani kur Sali Berisha humbi fytyrën me listën non grata. Por do apo nuk do Sali Berisha ti je kryetari legjitim i Partisë Demokratike dhe mitingu i 11 Dhjetorit nuk e ndryshon këtë fakt”, tha Duma.

Nënkryetarja e PD-së iu drejtua drejtpërdrejt kryetarit të saj dhe i tha në sy që nga tani e tutje nuk do ta mbështesë më pa kushte. Ajo i bëri thirrje që të hapë sytë e veshët, e të shikojnë nga vetja për ta mundur Ramën me një model ku PD-ja është më e gjerë, më e hapur dhe më frymëzuese.

“Kryetar dua të ta them sot në sy të këtyre zonjave dhe zotërinjve, që mbështetja ime pa kushte për ty ka marrë fund, ashtu siç ka marrë fund edhe respekti im pa kushte për autoritetin moral të Sali Berishës në Partinë Demokratike. Kushti im për të mbështetur ty është të hapësh sytë  e veshët ndaj të gjithë atyre demokratëve që janë pasoja e gjallë e verbërisë sonë në këto vite. Kushti im për të mbështetur ty më tutje është që të lemë verbërinë 8-vjeçare të vetëm gjembave, masakrave dhe të shikojmë së pari nga vetja sepse duhet dhe mendoj që duhet të jeni ju që të na çoni në fitore përtej Edi Ramës. Kushti im për të të mbështetur ty më tutje është për të harruar se si ta mundim Edi Ramën me të njëjtin model bunkeri që ka ndërtuar ai me PS, me një PD të gjerë, të hapur, frymëzuese dhe me moral. Unë sot jam me Lulzim Bashën. Po nga sot Basha duhet të jetë me të gjithë demokratët pa përjashtim dhe vetëm me Sali Berishën jo. Të cilit, i them këtu sot dhe mund t’ia them në sy për mua jo vetëm ka humbur autoritetin moral mbi të djathtën zyrtare, por edhe për të drejtën për të qenë me gjasë më kritiku i saj. Duke vënë interesin e tij personal mbi interesin strategjik dhe PD është kthyer në një manipulator ndjenjash njerëzore të atyre që vetëm jetën nuk lanë pa e lënë gjatë 30 viteve. Boll! Për pleshtin e interesit të tij personal, nuk do ndjekim jorganin e vlerave esenciale të Partisë së madhe Demokratike”, tha Duma.

Deputetja demokrate u shpreh se vendimet e 11 Dhjetorit janë nul, por arsyet që i kanë çuar demokratët atje duhen marrë parasysh.

Ora 14:21 – Kuvendi i 18 Dhjetorit: Të shpallurit non grata nga SHBA, jo pjesë e funksioneve drejtuese në PD

Kuvendi Kombëtar i 18 Dhjetorit i Partisë Demokratike i thirrur nga Lulzim Basha do të votojë disa ndryshime. Një ndër vendimet që pritet të votohet është miratimi i rezolutës së Këshillit Kombëtar të 12 Dhjetorit, që Kuvendin e iniciuar nga Sali Berisha më 11 Dhjetor e shpalli nul.

Gjithashtu do të votohet që personat e shpallur non grata nga SHBA nuk do të jenë pjesë e funksioneve drejtuese të Partisë Demokratike.

“Vendimi i parë për të ratifikuar rezolutën e Këshillit Kombëtar të datës 12 Dhjetor 2021.

Vendimi i dytë, me propozim të Kryesisë së partisë në mbledhjen e ditës së djeshme, Kryesia i propozon Kuvendit që në funksion të të ardhmes të PD, të mbrojtjes së vlerave euroatlantike, marrëdhënia e ngushtë me SHBA është e paprekshme, vendos: 1 Shpallja non grata nga SHBA është e papajtueshme me çdo funksion drejtues në Partinë Demokratike. 2.Të mbështesë iniciativën për dekomunistizimin e vendimmarrjes dhe përfaqësimit politik në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike.  

Së treti, ndryshim në nenin 58 të statutit për të shtuar dy dispozita për krijimin e aleancës qytetare për demokracinë”, deklaroi Jemin Gjana, kryetar i Komisionit të Kuvendit Kombëtar të 18 Dhjetorit.

Ora 14:06 – Gjana: Janë 5004 delegatë të pranishëm

Kreu i Komisionit të Kuvendit të Partisë Demokratike, Jemin Gjana, ka treguar shifrat e delegatëve që kanë marrë pjesë në këtë Kuvend.

Në fjalën e tij, Gjana tha se në sallë janë 5004 delegatë dhe kërkoi që emrat e tyre të bëhen publik nesër.

Jemin Gjana, kryetari i Komisionit të Kuvendit Kombëtar: Të dhënat që kam këtu konfirmojnë se ne kemi shumicën dërrmuese të delegatëve. Kryesia e PD në mbledhjen e djeshme ka vendosur që në ndihmë të punës për menaxhimin  e Kuvendit të krijojë një komision me të cilin janë ndjekur procedurat e regjistrimit të delegatëve dhe vendimmarrjen.

Sipas prezencës të nënshkruar prej secilit delegat, janë të pranishëm në Kuvendin e datës 18.12.2021 janë të pranishëm 5004 delegatë. Propozoj që nesër 5004 emrat të bëhen publik emrat e të gjithë delegatëve që kanë marrë pjesë në këtë Kuvend.

Ora 13:50 Basha: PD nuk do t’i dorëzohet tekave të një personi të vetëm

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është shprehur sot partia nuk është pronë e një individi, por pasuri e të gjithëve. Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar, Basha u shpreh se  PD nuk do të dorëzohet askujt

“Unë dua t’ju flas sot për Partinë Demokratike si pasuri e antarësisë dhe jo pronë e një individi me mendësinë pas meje kaimeti. Jo, kiameti nuk do të vijë. Partia Demokratike nuk do t’i dorëzohet fatit të një personi. Partia Demokratike do të jetë e gjithë demokratëve, nga themeluesit te më i riu apo më e reja mes nesh.

Për këtë kam qëndruar i prerë në këtë periudhë, pa u zbrapsur edhe përballë individit me të cilin kam ndarë shumë vite bashkëpunimi. Sepse nuk bëhej fjalë për fatin e një njeriu, por për fatin e Partisë Demokratike, e për pasojë të të ardhmes së Shqipërisë.

Luftova, dhe po luftojmë të gjithë bashkë, për normalitetin, që kjo parti të jetë një forcë politike që ngrihet mbi fuqinë e individëve që e përbëjnë, jo mbi fuqinë që individi që sundon një parti, që merr nga të tjerët, për të lartësuar kultin e tij, deri në atë pikë sa të bëhet mbytëse për të ardhmen e saj.

Këtë normalitet kërkoj, dua të jem kryetari që punoj për t’i dhënë normalitetin Partisë Demokratike dhe Shqipërisë.  Dua të jem politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit.

Dhe për të sjellë këtë normalitet, duhet ta paqtojmë Partinë Demokratike me shoqërinë, duke nisur nga shtresat që janë themelet e shtëpisë tonë, të përndjekurit dhe pronarët…  Duke reflektuar me aktet dhe komunikimin tonë qytetarinë që kërkojmë t’i japim politikës, duke këmbëngulur në një model që është vendimtar në termat afatgjata për çlirimin e shoqërisë nga tensionet që i ngarkon asaj politika”./tvklan.al

Ora 13:47 – Kriza brenda PD-së, Lulzim Basha: Mund të humbasim një pakicë të papërfillshme

Nga kriza e brendshme e Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se do të humbasin një pakicë demokratësh. Por sipas tij, do të fitojnë besimin e qytetarëve të tjerë shqiptarë.

Duke folur në Kuvendin e 18 Dhjetorit të Partisë Demokratike, Basha thekoi se pakica që nuk do të jetë më pjesë e tyre, është “e lidhur me interesa të së shkuarës”.

Ne u kthyem fuqishëm me votat e shqiptarëve, ku pa asnjë pushtet, përballë masakrës zgjedhore, fituam zemrat e shqiptarëve dhe votën e vërtetë populore për ndryshim, pra një parti e madhe dhe e qendrueshme. Qëndrueshmëria jonë as që mund të vihet në diskutim tashmë.

Partia Demokratike është një realitet politik i konsoliduar që shikon vetëm nga e ardhmja. Jo vetëm për shqiptarët në Shqipëri por për të gjithë kombin tonë. Që jo vetëm siguron qendrueshmërinë e PD, por edhe rritjen dhe zhvillimin e saj. Ne mund të humbasim një numër individësh, në një pakicë të papërfillshme, të cilët janë të brumosur, të indoktrinuar apo të lidhur me fije të ndryshme me interesat e së shkuarës, por ne do të fitojmë besimin e pjesës më të madhe të shoqërisë sonë, atë shumicë që beson si ne tek e ardhmja perëndimore e Shqipërisë. 

Ne do të fitojmë qytetarin normal shqiptar, votuesin civil, i cili do të ndërtojë këtu të ardhmen e tij. Ky transformin do ta më të besueshme dhe fitimtare, Partinë Demokratike, që lindi nga idealet më të mira të dhjetorit 1990, dhe që del më e pastër dhe më e forte nga ky Kuvend, gati për të zgjedhur të ardhmen”, deklaroi Lulzim Basha. 

Ora 13:40 – Lulzim Basha: Gabimi im që lejova dualizmin në PD, protagonizmi i Berishës barrë për fitoren

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha pranon se prezenca e Sali Berishës në PD shkaktoi dualizëm në drejtimin e partisë.

Në fjalimin e tij në Kuvendin e 18 Dhjetorit, Basha theksoi se ishte gabimi i tij që lejoi dualizmin.

Ndërsa shtoi se protagonizmi i Salia Berishës dëmtonte fitoren e Partisë Demokratike.

“Por mendësitë komuniste janë një mall toksik, ato nuk mund ta shoqërojnë nga një dekadë në tjetren drejtimin politik të partive dhe të vendit, nuk mund t’i shartohen kaq gjatë demokracisë. Sepse kjo është mënyra për ta vrarë demokracinë. Ndaj edhe gabimi im më i madh është mbajtja, apo lejimi i dualizmit në drejtimin e PD-së. Dualizmit në përceptim dhe dualizmit real, kur ish kryetari e bëri funksion de facto dublimin e kryetarit, e bëri rutinë hijezimin e  kryetarit me protagonizmin  e tij. Faktet janë me qinda mijëra. Kushdo i ka parë. Kjo histori nuk ndaloi tetë vjet me radhë. Është përgjegjesia ime që nuk kam mundur ta zgjidh në kohën e duhur këtë nyje gordiane. Berisha nga ana tjetër ka qenë i njoftuar se protagonizmi i tij është një barrë për rritjen dhe fitoren e Partisë Demokratike.

Megjithatë, unë u kërkoj sot ndjesë demokratëve, me bindjen se ata kanë një ide të qartë për hezitimin tim, që ka qenë edhe hezitimi i shumë prej tyre. Njohja e gabimeve është premisa e korigjimit të tyre. Në këtë kuvend të lirë, unë mbaj shënim me respekt për gabime të tjera nga diskutimet tuaja.  Dua të nënvizoj se kapërcimi i dualizmit përbën zgjidhjen  e një prej nyjeve të krizës për të cilën po flasim. Sot partia ka një kryetar dhe ajo duhet të ketë gjithnjë një kryetar. Nga ana tjetër, ne caktuam një standart në qëndrimin tonë ndaj personave që shpalleshin non grata nga SHBA: përjashtimin e tyre nga politika. Sepse përdorimi nga SHBA i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit  aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Çfarë mund të bënin ne, çfarë mund të bëja unë kur goditja ra në shtëpinë tonë? Të shkelja standartin që vetë ne, të gjithë bashkë, nga i pari tek i fundit, përfshirë vetë Sali Berishën e kishim vendosur, atëherë kur shpalljet non grata binin mbi bashkëpunëtorë dhe aleatë të Ramës? A nuk do të ishte ky kulmi i hipokrizisë para shqiptarëve?  A do të kishim fytyrë të përmendnim antikorrupsionin, a do të na besonte njeri, a nuk do të bëheshin shkrumb e hi si parulla bajate qëndrimet  e zotimet tona”, tha ndër të tjera Lulzim Basha. 

Ora 13:28 – Basha: Unë jam pengesa që Berisha të kthejë PD-në në një bunker kundër SHBA-së

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka sulmuar ish-Kryeministrin Sali Berisha nga Kuvendi Kombëtar  i PD.

Në fjalën e tij, Basha tha se Berisha kërkon që të kthejë PD në bunker kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai është pengesa që kjo që të mos të ndodhë.

“Kriza që po përjeton këto muaj Partia Demokratike shpërtheu në datë 9 Shtator, pas vendimit tim për pezullimin e Sali e Berishës.  Por kjo krizë nuk lindi atë ditë, ajo ka një parahistori  që  lidhet me raportin e Sali Berishës me Partinë Demokratike, të cilën e konsideron  pronë private, me bashkëpunëtorët e tij të cilët i konsideron kukulla, me demokratët e thjeshtë të cilët  po tregon se i konsideron numërorë topi për interesat e hallet e tij.

Kjo është kriza “Berisha”, që  ka vegjetuar gjatë në trupin e PD-së në  formën dhe përmbajtjen e kulturës të linçimit dhe terrorizimit të kundërshtarëve dhe mendimit ndryshe,  nga e cila ai nuk arriti të shkëputej kurrë. Kjo ndoshta mund të na jetë dukur e përshtatshme për disa kohë, madje edhe e volitshme atëherë kur batareja zbrazej drejt kundërshtarëve tanë, por kjo na ka armiqësuar për shumë gjatë me një pjesë të madhe të popullsisë. Kjo krizë shpërtheu ditën kur unë mora vendimin. Xhindosja e tij zbuloi të vërtetën e hidhur se Sali Berisha bëri sikur iku në vitin 2013, por në fakt nuk iku kurrë.

Kjo krizë zbuloi gjithashtu se xhindosja e tij nuk është me Partinë Demokratike, nuk është me mua, që jam pengesa që ai ta kthejë atë në një bunker kundër aleatit strategjik të shqiptarëve dhe kundër interesave të demokratëve, por xhindosjen e ka me SHBA-të”, tha Basha.

Ora 13:16 – Basha: Pas shpalljes non grata të Berishës, u përballëm me fushatë në kufijtë e luftës civile

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat pas shpalljes non grata nga SHBA, ishte një vendim që duhej ta ndërmerrte.

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e 18 Dhjetorit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se pas shpalljen non grata të Sali Berishës, u përballën me një fushatë në kufijtë e luftës civile.

Pjesë nga fjalimi i Lulzim Bashës në Kuvendin e 18 Dhjetorit:

Mblidhemi sërisht në këtë sallë, pak muaj pasi të gjithë bashkë ngarkuam njëri-tjetrin me përgjegjësinë për të cuar përpara përballjen me kundërshtarin tonë politik, të vendosur për të mos hequr dorë nga detyra që na besuan qytetarët, atë për ndryshimin, që pengoi egërsisht nga masakra zgjedhore. U mblodhëm në 17 Korrik, por u mblodhëm me një gur në zemër dhe një nyje në fyt.

Personit që mes nesh i kishim vendsour mbi supe më shumë spaleta, atij që i kishim shtruar për gati tre dekada rrugën me lavderime, i ishte varur mbi karrierën e gjatë politike, cilesimi non – grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pezmi ishte i madh. Pse ne dhe pse tani? Ishin pyetjet që mbizotëronin mes nesh.

Është e vështirë të shpjegohen me fjalë, aq më tepër një trupe politike që ka emocionet e saja në lidhje me këtë cështje, përgjegjësitë që lindin në raste të tilla. Jo për shkak të vështirësisë të vendimmarrjes, por për shkak të pasojave që ato prodhojnë te njerëzit.

Në rastin tonë, mencuria për të njohur diferencën midis gjërave që duhet të pranojmë dhe atyre që mund të ndryshojmë, ishte fare e qartë.

Përballë historisë tonë, të partisë që ribashkoi Shqipërinë me Perëndimin, që ka shënuar arritjet më të mëdha në raport me aspiratat tona kombëtare, në procese ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë jetike, në një marrëdhënie vlerash të sanksionuar në kushtetutën e partisë tonë, shtegu, ndonëse i vetëm dhe i ngushtë, ishte i qartë. Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë! Dhe atë ditë ku mora atë vendim, nisi një marshim i ngadaltë dhe i pashmangshëm drejt kuvendit ku jemi mbledhur sot. Midis 9 shtatorit dhe 18 Dhjetorit rreth partisë sonë kanë ndodhur ngjarje, akte dhe procese të pashembullta, të pa ngjara me parë, që i japin këtij kuvendi statusin e një date të dytë historike pas themelimit të Partisë Demokratike si partia e shpresës së shqiptarëve, si partia Euro-Atlantike, si partia e rilidhjes së Shqipërisë me perëndimin pas 45 vitesh të perdes së hekurt të komunizmit barbar shqiptar. Kjo datë e dytë, po aq e rëndësishme, ky akt i dytë, ky kuvend, është dhe duhet të jetë kuvend i afirmimit të proamerikanizmit dhe pro euro-atlantizmit pas një periudhe keqkuptimesh, konfliktesh, paqartësish, kundërveniesh apo problemesh me aleatin tonë strategjik, të cilat kulmuan me pezullimin nga grupi parlamentar i ish-Kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Pas shpalljes së tij non grata për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë. Jemi përballur me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodash nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh për ta detyruar PD të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës. 

Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, e cila kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës. Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 Prillit, në interes të një personi, dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike.

Por unë nuk mund ta pranoja këtë, ne nuk mund ta lejojmë këtë, sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren. Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një non grata në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në non grata, për ta hir të fatit personal të një personi kushdo qoftë ai. Pandaj çfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon. Dhe ne sot zgjedhim të na ndryshojë për mirë.

Ora 13:07 – Lulzim Basha tregon personat që nuk do të lejohen në strukturat drejtuese të PD

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka treguar sot vendimet që pritet të merren në Kuvendin Kombëtar.

Në fjalën e tij, Basha tregoi disa nga kategoritë e personave që nuk do të lejohen që të militojnë në radhët e PD. Sipas tij siç do jetë PD sot do të jetë dhe Shqipëria nesër.

Është një kënaqësi t’ju shoh sot të gjithë bashkë, në një ditë ku kemi shumë për të thënë, e cila në këtë ditë reflektimi, bashkimi dhe vendimi për të zgjedhur të bashkuar rrugën e të ardhmes. Nuk jemi mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, por për të thënë disa të vërteta që për shumë gjatë nuk i kemi shqiptuar, apo vetëm i kemi belbëzuar.  E di që disa mezi presin t’i dëgjojnë, e di po ashtu se disa të tjerë mund të mërziten prej tyre. Por sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës.

Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër. Që ne të bëhemi bindës për shqiptarët, që ne të rikthejmë besimin e shqiptarëve tek Partia Demorkatike, duhet të guxojmë tu themi atyre se “si do jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër”.

Ky është një akt i madh i guximshëm, pasi do të na duhet ta provojmë sot se çfarë do Shqipëria. Dhe ne do tua provojmë. Do të jemi partia më e pastër në Shqipëri në përbërje të saj, duke mos lejuar në radhët tona dhe në ekipet drejtuese të PD, njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare. Dhe duhet të biem dakord sot për këtë standard i cili do të përfshijë këto kategori.

Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve që ka qenë diktatura komuniste. Historia e gjenocidit komunist në Shqipëri, nuk do gjejë kurrë jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim dhe atë parti. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.

Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz të inkriminuar, në çfarëdo veprimtari kriminale gjatë këtyre tridhjetë viteve, që janë bërë objekt i dënimeve penale, për krime ndaj qenieve njerëzore, krime ekonomie, vepra penale apo përfshirje në organizata kriminale. Dhe këto jo vetëm për që do bëhen të zgjedhurit e popullit shqiptar por dhe të zgjedhurit brenda PD. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër.

Nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD, njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionalizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë. PD duhet të jetë garancia e shqiptarëve që do të jetojnë në një vend me sytë mendjen dhe trupin në Perëndim. Si do të jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër”.

Ora 12:03 – Ngrihet komisioni i Kuvendit të 18 Dhjetorit të PD, kush janë anëtarët (Emrat)

Kuvendi i Partisë Demokratike i 18 Dhjetorit i thirrur nga Lulzim Basha ka ngritur komisionin që do të drejtojë punimet e këtij Kuvendi.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka lexuar emrat e anëtarëve që do të bëjnë këtë komision.

Ata janë Jemi Gjana kryetar dhe anëtarët Gazment Bardhi, Grida Duma, Enkelejd Alibeaj dhe Flutura Açka. Përbërja e këtij komisioni u miratua.

Ora 12:00 – Lulzim Basha mbërrin në Pallatin e Kongreseve ku mbahet Kuvendi i PD i 18 Dhjetorit

Ora 11:27 – Fatbardh Kadilli merr pjesë edhe në Kuvendin e 18 Dhjetorit: Të largohen Basha dhe Berisha

Anëtari i Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli ka vendosur të marrë pjesë edhe në Kuvendin e 18 Dhjetorit të PD të thirrur nga Lulzim Basha.

Në një prononcim për Klan News nga Pallati i Kongreseve ku zhvillohet Kuvendi i18 Dhjetorit, Kadilli u shpreh se Partia Demokratike duhet të bashkohet.

Sipas tij, që kjo të ndodhë duhet të largohen Lulzim Basha dhe Sali Berisha.

Fatbardh Kadilli:Do dëshiroja që ky Kuvend të mos kthehej në Kuvendin e ndarjes. PD nuk mund ta durojë dot ndarjen në 2 copa. Ne na duhet një parti e bashkuar, nuk na duhet një parti e ndarë. Ky është qëllimi pse jam këtu. Ata që kanë mundësi ta kuptojnë, nuk duhet të ndahet Partia Demokratike. Çdo lloj akti ndarës dëmton Partinë Demokratike. Të largohet Basha, mos kandidojë Berisha dhe të shkojmë drejt një procesi për të zgjedhur një ekip të ri, të pastër politik. Kjo është zgjidhja. Demonstrim force nuk ka kuptim mes njëri-tjetrit, edhe ato çfarë kanë ngjarë nuk janë të mira. Unë uroj që vendimet të jenë të matura dhe t’i shërbejnë bashkimit. Vendimet përjashtuese nuk i shërbejnë bashkimit, si nga njëri krahë si nga krahu tjetër.

Pyetje: Është zgjidhje për ju largimi i Lulzim Bashës?

Fatbardh Kadilli: Padyshim. Hap rrugën e zgjidhjes. Por dhe vetëpërmbajtja e Berishës dhe moskandidimi i Berishës.

Pyetje: Po rikthimin e Berishës në krye të PD si e shihni?

Fatbardh Kadilli: Të dyja janë të këqija, si qëndrimi i Bashës si kryetar, si ardhja e Berishës. Nuk duhet të kthehet Berisha. Në qoftë se ne largojmë Bashën për të sjellë Berishën kemi ikur nga shiu në breshër.

Kujtojmë se Fatbardh Kadilli mori pjesë edhe në Kuvendin e 11 Dhjetorit të iniciuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

***

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka thirrur sot në orën 11:00 Kuvendin Kombëtar të partisë që do të mbajë punimet në Pallatin e Kongreseve.

Në rend të ditës është parashikuar të ketë vendimarrje të rëndësishme mbi situatën politike në vend, e ku nuk përjashtohet edhe vendosja e fatit të ish-Kryeministrit Sali Berisha, e ardhmja e tij brenda ose jashtë Partisë Demokratike.

Sakaq, në punimet e Kuvendit të thirrur nga Basha pritet të ketë edhe disa ndryshime statutore, mes të cilëve edhe futja e elementëve të dekomunistizmit, si dhe ulja e peshës së kryetarit të partisë në vendimarrje.