Prokuroria e Posaçme kundërshton pafajësinë e Alqi Bllakos për inceneratorin e Elbasanit dhe rrëzimin e akuzës së shpërdorimit të detyrës për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili u dënua vetëm për korrupsion.

SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm dënimin e Bllakos dhe Kokës njësoj siç është kërkuar në pretencën e organit hetues, përkatësisht 10 vite për Kokën e 4 vite për Bllakon. Por ky i fundit vijon të qëndrojë në qeli për shkak të dënimit të tij për inceneratorin e Fierit me 2.8 vite burg. Gjithashtu ndaj tij vijon të jetë në fuqi një tjetër masë sigurie arresti në burg për inceneratorin e Tiranës.

Në tetor të 2023 GJykata e Posacme dënoi në total me 33 vite burg të pandehurit, përkatësisht me 5 vite e 8 muaj burg ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka me akuzën për korrupsion e shpërdorim detyre. Atij iu konfiskuan një pjesë e aksioneve në kantinën e pijeve në Durrës, në vlerën e korrupsionit të kryer, 3.7 milionë Euro. 

Biznesmeni Klodian Zoto, u dënua me 10 vite burg, duke përfituar zbritje në 6 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti. Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar, përfitoi zbritje në 4 vite e 8 muaj.

Klan News