Këtë të enjte zhvillohet seanca e parafundit plenare e kësaj legjislature. Në foltoren e Kuvendit ka folur ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila falenderoi opozitën e re për pranimin e mandateve në vitin 2019. Po ashtu, ajo uroi që PD-ja dhe Lulzim Basha të jenë pjekur “diellin e nxehtë të këtij behari”.

“Një falenderim i takon grave dhe burrave të opozitës që ruajtën apo morën mandatet e përfaqësimit duke i bërë në këtë mënyrë një shërbim të vyer kushtetutës dhe Shqipërisë. Kush thotë ndryshe, kush tall me “verb të kotë” siç shkruante Lasgushi nuk është dashamirës, objektiv ose jo, por vetëm cinik mendjengushtë që nga kjo punë nuk kupton, ose që nga kjo punë paguhet. Uroj që dielli i nxehtë i këtij behari ta ketë pjekur sadopak PD, Lulzimin dhe të tjerët dhe legjislatura e re që nis në Shtator të sjellë me vete, përveç debatit demokratik parlamentar edhe arsyen dhe guximin për të bashkëpunuar për reforma në respekt të atyre qytetarëve që asaj partie i caktoi rolin e pazëvendësueshëm të opozitës”, tha Spiropali.

Deputetja socialiste tha ndër të tjera, se qeveria edhe në mandatin e tretë do të vazhdojë me prioritetet urgjente.  

“Ne si shumicë do vazhdojmë jo vetëm me prioritetet urgjente si deri më sot që janë vaksinuar 950 mijë shqiptare, kemi siguruar vaksina për aplikim masiv, kemi angazhuar 48 miliardë lekë në një proces për rindërtimin. Demokratizim, zhvillim, drejtësi, integrim. Ne i besojmë institucioneve. Për ne Kuvendi do të jetë gjithmonë tempulli i lartë i përfaqësimit dhe shtylla më e sigurt e konsolidimit të shtetit ligjor të të gjithëve, jo shtetit të disave”./tvklan.al