STOP – EMISIONI 113 (SEZONI 4) – TV KLAN

STOP – EMISIONI 113 (SEZONI 4)

Emision: 06.02.2019

Lajme të zymta për qiellin shqiptar/ Shqipëria shton korrupsionin.

Nato nënshkroi sot protokollin e pranimit për Maqedoninë e Veriut, pas zgjidhjes së cështjes së emrit me Greqinë.Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite. Disa portale zviceriane e turke shkruajnë, se projekti i “Air Albania” ka dështuar. Nga ana tjetër kompania e fluturimeve loë cost “Germania”, që pritej të niste fluturimet edhe në Tiranë, ka shpallur falimentin.Shqipëria vijon të shënojë hapa prapa në perceptimin e korruspionit. Për vitin 2018 vendi ynë renditet në vendin e 99-të, nga 180 vende, ose dy vende më poshtë se një vit më parë.

Skandali, vdes në ’91-shin, por me vendim gjykate martohet në ‘97-ën.

Kaleme Spaho, banore e Librazhdit, i është drejtuar emisionit “Stop” për një çështje familjare në kufijtë e absurdit. Gjyshi i saj, Hamit Luka, i martuar me Aishe Lukën, sollën në jetë nënën e Kalemes, Sanije Luka.

Në vitin 1953 gjyshi shkon për të jetuar në Belgjikë me Mereme Balliun. Ai ndërron jetë në vitin 1991. Por sipas një vendimi gjykate Hamit Luka rezulton që është martuar në vitin 1997, pra 6 vjet pas vdekjes.

“I jam drejtuar ‘Stop’-it për një çështje familjare. Gjyshi im i ndjerë Hamit Luka ka qenë i martuar me Aishe Lukën dhe nga kjo martesë ka ardhur në jetë nëna ime Sanije Luka. Hamiti me Aishen kanë jetuar bashkë deri në vitin 1953. Hamiti paska vazhduar jetën e vet në Belgjikë me një grua tjetër, e cila quhet Mereme Balliu. Nuk e di kur është martuar, nuk kemi absolutisht të dhëna. Në 91 kur erdhi demokracia gjyshi kthehet në Shqipëri. Si trashëgimtare e vetme ngelet Sanija. Regjistrimet dhe certifikatat na dalin në rregull. Kur marrim një certifikatë në vitin 1997, na del pjesëtare Mereme Balliu, e martuar në vitin 1997, në një kohë që gjyshi im ka ndërruar jetë në vitin 1991”, thotë Kaleme Spaho.

Gazetarja: Ky është akti i vdekjes së gjyshit tënd, në vitin 1991?

Kaleme Spaho: Po

Gazetarja: Ndërsa këtu kemi një certifikatë, ku në fund lexohet Aishe Luka shkurorëzuar në vitin 1953 ndërkohë me Mereme Balliun është martuar në vitin 1997. Si ka mundësi? Ai ka vdekur në vitin 1991 dhe është martuar në vitin 1997?

Kaleme Spaho: Ndoshta është ngritur prapë?

Gazetarja: Tani ti e di ku është martuar gjyshi yt?

Kaleme Spaho: Në vitin 1991 e di që ka vdekur. Nuk e di. Si u ngritka nga varri dhe u martoka, nuk e kuptoj. Prandaj i jam drejtuar “Stop”-it për të zbardhur këtë çështje.

Për këtë rast, “Stop” iu drejtua Gjendjes Civile të qytetit të Librazhdit. Në gjendjen civile të Librazhdit thonë se nuk kanë asnjë të drejtë të kundërshtojnë vendimet e gjykatës, ndaj Hamit Luka rezulton me dy bashkëshorte.

Gazetarja: Si ka mundësi që një person që ndërron jetë në vitin 1991 martohet në vitin 1997?

Vjollca Vreto, punonjëse e Gjendjes Civile Librazhd: Edhe unë këtë pyetje i bëra vetes. Si ndodh? Nuk ka ndodhur në vitin 1997, është jashtë çdo logjike. Por pse është vendosur në vitin 1997?Kkëtë duhet të gjejmë.

Vjollca Vreto: Nëse zonja e ka bërë para vitit 1991 martesën në Belgjikë, për arye të saja…

Gazetarja: Përse nuk e ka paraqitur më përpara?

Vjollca Vreto: Epo këtë duhet të gjejmë, përse nuk e ka paraqitur më përpara.

Gazetarja: Është e lejueshme që edhe pasi vdes të paraqesësh dokumentin?

Vjollca Vreto: Në momentin që një person vdes shuhen të gjitha të drejtat. Nuk e di si ka ndodhur, nuk mund të hamendësoj. Në regjistër nuk shkruhet kush e ka bërë regjistrimin. Punonjësja e gjendjes civile nuk mund të kundërshtojë aktet e gjykatave. Jemi të detyruar të vendosim aktin e gjykatës. Në këtë rast, qytetari që ka probleme të tilla, mund të rihapë çështjen në gjykatë dhe të hedhë në gjyq gjyqtarin apo kush e ka bërë këtë. Por ne si punonjës nuk mund të kundërshtojmë një vendim gjykate.

Gazetarja e “Stop” pyet Kalemen se përse mund të ketë ndodhur gjithë kjo ngatërresë.

“Kjo ka ndodhur për çështjen e pasurisë, përderisa gjyshi im ka qenë i përndjekur politik. Mami mori këstin e parë, nga zilia na del edhe një person tjetër, Mereme Balliu, që rezulton të jetë e martuar me gjyshin tim në vitin 1997, kur gjyshi im ka ndërruar jetë në vitin 1991. Njëra (grua) rezulton me letra, kurse tjetra se dimë nga ka ardhur.”

Gjyqtari që ka dhënë vendimin në vitin 1997 është larguar jashtë vendi dhe të paktën nuk rezulton se jep më vendime në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ku bën pjesë edhe Librazhdi.

Për këtë arsye, Kalemja i ka parashtruar disa kërkesa Gjykatës së Elbasanit, të cilat janë: Vendimi i shkurorëzimit të Hamit Lukën me Aishe Lukën; vendimi i aktit martesor i Hamit Lukës me Mereme Balliun dhe së treti, rishikimi i të gjithë këtij vendimi, që në fakt është absurd.

Më 24 Janar të vitit 2019 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan kthen përgjigje se sipas verifikimeve të bëra në indekset e vitit 1953 nuk rezulton që palët Aishe Luka dhe Hamit Luka të kenë zgjidhur martesën, ndërsa sa i përket aktit martesor mes Hamit Lukës dhe Mereme Balliut drejtohuni zyrës së gjendjes civile në Bashkinë Librazhd.

Në gjykatën e Elbasanit, thonë, se e vetmja gjë që mund të bëhet, është një padi për pavlefshmëri vendimi. Të njëjtin qëndrim shpreh edhe avokatja Orgesa Serani.

Avokatja Orgesa Serani: Për sa i përket divorcit, duke filluar që nga viti 1912, kur është hartuar Kushtetuta e parë e Republikës së Shqipërisë, deri ën ditët e sotme, mënyra për zgjidhjen e martesës është vetëm duke iu drejtuar gjykatës. Nëse i referohemi lidhjes së martesës, rezulton që është bërë lidhje martese me personin , i cili ka ndërruar jetë. Mendoj se është një vendim i pabazuar në ligj. Duhej të kishim një vendim shkurorëzimi, një rast divorci me bashkëshorten e parë dhe më pas martesë me bashkëshorten e dytë. Gjendja civile nuk duhej ta kishte regjistruar këtë vendim sepse edhe nëse e lexojmë këtë vërtetim, nuk thuhet që është një vendim i cili është i detyrueshëm për tu zbatuar nga zyra e gjendjes civile.

Avokatja thotë se qytetarja duhet t’i drejtohet Gjykatës së Rrethit Elbasan për rishikim të vendimit, ose t’i drejtohet gjykatës përsëri për pavlefshmërinë e veprimit juridik të ndjekur nga ana e zyrës së gjendjes civile.

Falsifikimi, si u ribë dosja për pronën në Gjinar.

“Stop” sjell edhe njëherë në vëmendje rastin e shtimit në mënyrë fiktive të 70 dynymëve tokë nga ana e gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu. Gazetari depozitoi ankesa në KLGJ, KLP dhe Ministrisë e Drejtësisë, për falsifikim dokumentesh nga ana e zonjës Fetahu. Emisioni “Stop” tregon sesi u krijua nga e para dosja korruptive me diferencën e sipërfaqes në Gjinar të Elbasanit.

“Një javë më përpara emisioni Stop publikoi rastin e falsifikimit të një vendimi në Rrethin Gjyqësor Elbasan, të gjyqtares Pajtime Fetahu dhe menjëherë ditën e nesërme ne bëmë një kërkesë zyrtare për të marrë një vendim nga kjo gjykatë me pullë dhe vulë të saj. Nga Kryesekretaria ne na u vu në dispozicion vendimi i cili ka 383.4 dynym. Pra kjo gjykatë dhe sekretaria dhe dosja që është brenda sekretarisë, na tregon që ky vendim është vendimi origjinal. Por emisioni Stop nuk e la me kaq. Kërkoi përsëri në Gjykatën e Elbasanit, kopje të dispozitivëve në regjistrin e kësaj gjykate dhe e dini se çfarë na dhanë? Na dhanë vendimin me 312.4 dynym. Çka do të thotë që vendimi i dytë dhe dosja është ribërë edhe njëherë nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, pra e ka falsifikuar të gjithë dosjen dhe vendimin”, shpjegon gazetari i Stop.

Vendimi i parë që ka nxjerrë gjyqtarja Pajtime Fetahu është ai i vitit 2003, ky vendim që ekziston edhe në regjistrin e dispozitivëve në Gjykatën e Elbasanit, me 312.4 dynym. Ky fakt forcohet duke iu referuar edhe vulës së këtij vendimi. Ajo mban të stampuar mbishkrimin Gjykata Elbasan, sepse nga 2003 deri në 2010-n. Gjykata e Gramshit dhe ajo e Librazhdit nuk ishin shkrirë dhe nuk ishin pjesë e Gjykatës Elbasan.

Vendimi me 383.4 dynym është vendimi i falsifikuar nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, sepse vula që mban ky vendim ka të stampuar mbishkrimin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, çka do të thotë që vendimi është falsifikuar pas 2010-s, ku Gjykata e Gramshit dhe ajo e Librazhdit u shkrinë dhe u bënë një Gjykatën e Elbasanit.

“Kjo gjyqtare duhet të mbajë përgjegjësi për rreth 71 dynym të falsifikuar dhe të marrë në mënyrë korruptive në Gjinar të Elbasanit”, shton më tej gazetari i Stop.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*



Emisione