STOP – EMISIONI 125 (SEZONI 4)



STOP – EMISIONI 125 (SEZONI 4)

21:02 22/02/2019

Tenderi i autobusëve, bashkia Durrës injoron vendimin e Gjykatës.

Në mesin e janarit emisioni “Stop” trajtoi rastin e tenderit të autobusëve në bashkinë e Durrësit. Bashkia kishte skualifikuar pa të drejtë kompaninë “Vata trans” , ndërsa gjykata administrative Durrës në 5 shkurt kërkoi rishikim të procedurës së tenderit.Klodian Vata, pas këtij vendimi të gjykatës,iu drejtua bashkisë, por nënkryetari dhe kreu i komisionit të vlerësimit, Zhulien Varfaj, i thotë, se ky muhabet është i mbyllur edhe sikur të presë 22 vjet të tjerë.

Cështje divorci, ish gruaja nuk i le fëmijët/pensioni mbi të ardhurat mujore.

Engjëllushi nga Tirana është baba i dy djemve të vegjël. Prej një viti është divorcuar nga gruaja e që nga ajo kohë nuk mundet të shohë fëmijët e tij. Me vendim gjykate, ai ka takime të përcaktuara për fëmijët, por ish-bashkëshortja nuk e lejon këtë.

As dhuratat e Vitit të Ri, Engjëllushi nuk ka mundur t’ua japë djemve.

“Unë jam i divorcuar, kam rreth 1 vit që nuk takoj fëmijët e mi, sepse nuk më lejojnë që t’i takoj. As dy të shtunë-të diela, as një herë në muaj, as një herë në vit nuk po më lenë që t’i takoj”.

Gjykata, përveçse vendos pjesën e takimeve, vendos edhe një pension ushqimor, që në këtë rast i vendoset babait ta paguajë. Engjëllushi tregon se ky pension është 160 mijë lekë në muaj, për të dy fëmijët.

“Për momentin jam pa punë, pa shtëpi, nuk kam asnjë të ardhur. Pagesën kam filluar ta bëj në 2018-n, në Dhjetor, që e kam pagesën me bankë. Sepse i kam bërë pagesat e tjera, por ata m’i kanë mohuar, sikur nuk kam bërë pagesë. Por unë kam edhe disa mesazhe që tregojnë që e kam bërë pagesën. Tani kam filluar me bankë, sepse ato që kam paguar m’i kanë hedhur poshtë të gjitha”.

Më tej Ëngjëllushi rrëfen se ish-bashkëshortja i kërkon një prokurë për të ikur jashtë vendit. Ai thotë se nuk është dakord dhe nuk ka për t’ia dhënë asnjëherë këtë firmë.

“Unë jam vetëm 5 minuta larg dhe nuk po më lenë që t’i takoj, e jo që të ikin jashtë shtetit, që nuk kam ku t’i takoj më. Unë kam 2 çuna, 7 dhe 8 vjeç. I kam blerë edhe dhurata për fundvitin, që nuk më lejojnë t’ua jap”.

Ëngjëllushi kërkon vetëm takimin me fëmijët e tij, ashtu siç ka vendosur gjykata.

Gazetarja e Stop iu drejtua Zyrës Përmbarimore Tiranë, ku duket se as përmbaruesja Evisa Tole nuk ka mundur ta zgjidhë këtë situatë.

Përmbaruesja: Unë kam bërë, domethënë komplet procedurën. Tani po pres që të më kthejë përgjigje, nëse s’ashtu, do ta marr në telefon edhe do vendosim, nëse do takohet apo jo.

Përmbaruesja: Unë s’mund ta detyroj dot palën, që të vijë me detyrim, thjesht kam për detyrim të bëj procedurën.

Gazetarja: Kam pikëpyetje për këtë pjesën, që nuk e detyroj dot palën? Është një vendim gjykate që shprehet që fëmijët do t’i takojë dy herë në muaj…

Përmbaruesja: E detyroj palën, por që fëmijën nuk e marr dot me detyrim.

Gazetarja: Nëpërmjet psikologut dhe forcave…

Përmbaruesja: Nëse pala nuk pranon të sjellë fëmijën unë, më ekstremi është që do të marr komisariatin. Unë kam për detyrë të thërras komisariatin, të vete te personi në fjalë dhe të merret fëmija domethënë.

Gazetarja e Stop i kujton Zyrën Përmbarimore të Tiranës, se në rast të mungesës së takimit vullnetar, ekziston ekzekutimi në mënyrë të detyrueshme.

“Çka i takon Zyrës Përmbarimore të Tiranës, përmbarueses që është në këtë rast, Evisa Tole, që të sigurojë takimin e fëmijëve me babain, nëpërmjet forcave të policisë dhe psikologes ndoshta. Por mesa duket, ajo ka hequr dorë dhe për këtë arsye emisioni Stop do t’i tregojë rrugën sesi duhet të procedojë në këto raste, në mënyrë që Ëngjëllushi të takojë fëmijët e tij dhe në mënyrë që të zbatohet vendimi i gjykatës, sa i përket objektit ‘takim fëmije’.”

Ndërkohë, psikologia Aurela Agalliu tregon për dëmet psikologjike që kanë fëmijët, të cilëve u mungon një nga figurat prindërore.

“Në rastin kur ndodh divorci, gjithmonë interesi më i lartë mbetet fëmija. Dhe ku flasim për interesin më të lartë të fëmijës, flasim për një detyrë që kanë të dy prindërit, të drejta dhe detyrime në ushtrimin në prindërimit. Roli dhe detyra e tyre vazhdon tek fëmijët, me qëllim mbarëvajtjen edukative dhe jetësore. Nëse ne do të flasim për mungesën e figurës atërore, apo edhe të nënës në të njëjtën kohë, tek fëmijët, natyrisht do të flasim për një problem që do t’i pasojë ata në pjesën e anës emocionale dhe plotësimit”, shpjegon psikologia Aurela Agalliu.

Çfarë ndodh konkretisht në kontekstin shqiptar?

“Fëmijët vendosen në një arenë luftash midis të rriturve dhe kjo nuk ndikon aspak mirë në zhvillimin jetësor të tyre, por edhe në zhvillimin psikologjik. Duke u vendosur në arenë luftash, ata më pas kthehen në mjete që përdoren për inatet personale midis të rriturve”, shton më tej Agalliu.

Fiton Akadaminë e policisë, e përjashtojnë si bartës i hepatitit.

Një i ri, që kërkon të ruajë anonimatin, denoncon në “Stop” përvojën e pakëndshme me konkursin për Akademinë e Policisë. Ai thotë se fitoi të gjitha fazat e konkursit me pikë maksimale, por në fund e përjashtuan, pasi është bartës i hepatitit B.

Në rregulloren e Policisë së Shtetit nuk thuhet askund që një kategori e tillë përjashtohet nga konkurrimi, apo puna në polici. Ai shpjegon, se sëmundjen e ka inaktive dhe nuk përbën rrezik për persona të tjerë.

“Iu drejtova Emisionit “Stop” sepse kam konkurruar për shkollën e policisë. Fitova fazën me shkrim dhe testimin fizik, fitova testimin psikologjik. Të gjitha këto me pikë maksimale. Tek analizat më skualifikuan për hepatitin B. Unë e di që jam bartës i këtij hepatiti, por në asnjë moment të rregullores të Policisë së Shtetit, nuk thuhet që personat me hepatit B skualifikohen. Mua kjo gjë, që nuk e kam ditur që aty skualifikohesh për shkak të hepatitit, më ka shkaktuar shumë dëme. Dëm ekonomik dhe dëm psikologjik, që pse unë duhet të përjashtohem për këtë në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Personat me këtë sëmundje nuk janë aspak të rrezikshëm për Shkollën e Policisë”, tha ai për mikrofonin e Tv Klan në kushtet e anonimatit.

“Unë kam bërë disa analiza, edhe tani që flasim unë nuk e kam në sasi të lartë, por jam thjeshtë bartës. Kam bërë analiza tek një spital privat dhe analizat e mija kanë shkuar në Turqi. Jam shumë i pastër dhe jam thjeshtë bartës i kësaj sëmundjeje. Ajo është inaktive, nuk vepron në trupin tim dhe nuk jam rrezik dhe as kërcënim për asnjë person tjetër, përveçse për veten time nëse konsumoj alkool ose ushqime jo të përshtatshme. Neni 14 pika 1 dhe 2 nuk e thotë që ti skualifikohesh për këtë hepatit.”

I riu thotë se ka kërkuar shpjegime, por janë përpjekur ta frikësojnë.

“Kam kërkuar shpjegim, nuk më kanë dhënë. Më kanë frikësuar tek pjesa e personelit mjekësor. Aty thjeshtë bëhet konstatimi nëse je apo nuk je bartës i kësaj sëmundjeje dhe nuk bëhet vërtetimi nëse e kam në sasi të lartë, apo më ka dëmtuar mëlçinë, sepse aty është thjeshtë një qendër e vogël që ka disa fisha për përcaktimin e kësaj. Nuk të japin asnjë shpjegim, kërkova të bëj një ankimim tek akademia e Sigurisë, nuk më lejuan. Arsyen nuk ma thanë. Erdha pas 4 ditësh përsëri me shpenzimet e mia dhe nuk më lanë përsëri, më thanë ka kaluar faza dhe dokumentet kanë shkuar tek Drejtoria e Përgjithshme, tek personeli.”







Të ngjashme