Mijëra fëmijë australianë kanë mbushur rrugët e Australisë duke protestuar mbi ndryshimin e klimës. Më shumë se 50,000 studentë nga School Strike 4 Climate u bënë thirrje udhëheqësve të ndërveprojnë përpara se të jetë vonë.

Demonstratat u mbajtën në disa vende përfshirë Alice Springs, Gold Coast, në qendrën rajonale të Ballarat në Victoria dhe Geraldton të Australisë Perëndimore.

Studentët e School Strike 4 Climate kanë kërkuar prej kohësh një plan për emetimet zero dhe më shumë energji të rinovueshme deri në 2030 në sistemin energjetik të Australisë, por tani kanë kthyer vëmendjen te buxheti i fundit i qeverisë Morrison.

Buxheti federal i miratuar javën e kaluar vendosi më shumë se 58 milionë dollarë për të zgjeruar industrinë e gazit dhe paratë nga taksapaguesit do të shkonin për ndërtimin e stacionit të energjisë me gaz në Kurri Kurri në Uellsin e Ri Jugor.

Kryeministri Scott Morrison këmbëngul se gazi është i rëndësishëm për të ndihmuar burimet e ripërtëritshme të energjisë. Protestuesit po kërkojnë gjithashtu që të mos ketë projekte të reja qymyri, naftë dhe gazi në Australi, duke përfshirë minierën e diskutueshme të Adanit.

Adani Enterprises i Indisë ka tërhequr kritika në pjesë të Australisë për zhvillimin e një miniere të re termike qymyri.  Australia është një nga emetuesit më të mëdhenj të karbonit në botë. Vendi është ngrohur mesatarisht me 1.4C që nga fillimi i rekordeve kombëtare në 1910. Kjo ka çuar në një rritje të numrit të ngjarjeve ekstreme të motit, duke përfshirë zjarret në pyje.

Klan News