Vllaznia pret Partizanin, Teuta përballë Laçit

Java e 26 e Superligës sjell dy përballje direkte. Vllaznia pret Partizanin në “Loro Boriçi”. Në renditje këto skuadra ndahen nga dy pikë.

“Luajmë ndaj një kundërshtari shumë të forte. E kemi vëmendjen kryesore te Partizani. Edhe kjo pauzë na bëri mirë, morëm energji, duke dashur të rikuperojmë ndeshjet e dobëta që kemi bërë. E kam studiuar shumë mirë Superioren dhe njoh çdo skuadër. Partizani është ndër skuadrat më të forta dhe kanë aftësi të mëdha teknike”, tha trajneri i Vllaznisë, Brdariç.

Partizanit i duhet rezultati, por për Ilir Dajën, historia e garës për titull nuk mbyllet edhe nëse në Shkodër arrihet fitorja.

“Duke qenë se përballen dy ekipe që ndahen nga vetëm dy pikë, shanset janë 50 me 50. E kemi përgatitur ekipin për të marrë maksimumin. Një fitore nuk do të thotë që mbyllet kampionati, por gjendja psikologjike do të jetë e mire, sepse do të fitonim me Vllazninë”.

Laçi dhe Teuta ndahen nga një pikë. Të dyja synojnë vendin e parë. Rivaliteti pritet të jetë i lartë ndërsa skuadrat mund të tregohen pragmatike. Të dy këto takime do të luhen këtë të shtunë në orën 16:00.

Tv Klan