Kërçiku nga Tirana tek rivalet e Partizanit

Pak ditë nga hapja e merkatos së dimrit dhe pak lëvizje nga klubet shqiptare. Transferta që ka tërhequr më shumë vëmendjen është ajo e Dorian Kërçikut i cili pas largimit nga Tirana shkoi në tek Bylis por pak orë në Ballsh dhe mbrojtësi ndryshoi mendje duke u paraqitur si lojtari më i ri i Partizanit.

Kjo foto me shallin e rivalëve të përjetshëm dhe me buzëqeshje duket si mesazh për ish klubin e tij bardheblu. Nga Tirana është larguar edhe Eni Imami, që ka zgjedhur Skënderbeun, një tjetër rival i bardhebluve, por këtë vit në vështirësi financiare.

Nga ekipi korçar është larguar Oto John, që ka firmosur te Prishtina. Ndërkohë, vetë Tirana ka afruar vetëm një futbollist nga akademia.

Kukësi njoftoi rinovimin e mbrojtësit Gëzim Krasniqin, ndërsa Limaj duket se ka kërkuar të largohet. Vllaznia ka bërë një goditje, duke marrë Mevlan Adilin nga Shkupi teksa po zhvillon fazën përgatitore në Ohër.

Te Flamurtari situata mbetet jo e mirë. Klubi vlonjat ka vendosur të ndërpresë kontratën me disa futbollistë. Nuk janë bërë publikë emrat, por duket se do të jenë Jurgen Vatnikajn, Ansi Nika, Olsi Gocaj dhe Shaqir Harunin. Fjoralb Deliaj ka mbyllur tashmë gjithçka me vlonjatët. Të larguar nga Flamurtari duken edhe Bajraktarevic, Nebihi dhe kosovari Mema.

Tv Klan