Në Prishtinë u mbajt sot takimi tre palësh për implementimin e protokolleve, me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz në mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Në këtë takim morën pjesë, Koordinatori Kombëtar i Kosovës për luftën kundër trafikimit me njerëz, Milan Radojevic, Koordinatorja e Shqipërisë, Elona Gjebrea, Koordinatori i Republikës së Malit të Zi, Zoran Ulama, koordinatorja e Maqedonisë,  Anastasije Ilieska dhe përfaqësues të institucioneve të policisë, prokurorisë, Inspektoratit të Punës dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

Siç raporton

Klan Kosova

, koordinatori kombëtar i qeverisë së Kosovës, njëherazi zëvendësministër i Punëve të Brendshme, z. Milani Radojević, në fjalën e tij theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore është një problem global dhe për një luftë të fuqishme është i nevojshëm bashkëpunimi rajonal, për këtë arsye ky takim është i rëndësishëm për strategjitë kombëtare për të luftuar trafikimin qenieve njerëzore në tri vendet.

Palët shprehën vullnet politik për të zbatuar plotësisht protokollet e nënshkruara dhe të vazhdohet bashkëpunimi në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi.

Takimi u organizua nga OJQ, “Grupi Këshillues për Sundim të Ligjit” dhe është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë./tvklan.al