190 subjekte në plazhin e Dhërmiut kanë nisur instalimin e impianteve të trajtimit të ujërave larës, në zbatim të aktit normative për trajtimin e ujërave të ndotur.

Ky proces po ndiqet nga Task Forca e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve të Ngurta.

Për të parë nga afër aksionin e inspektorëve në Dhërmi, këtë të shtunë ishte dhe zëvendës Kryeministrja Belinda Balluku.

Grupet tona të Task Forcës kryejnë kontrollin duke marrë në kontakt në radhë të parë subjektin, të dhënat tregtare të subjektit në lidhje me kapacitetet akomoduese që kanë ose të njësive të shërbimit”, shprehet administratori i AKUK, Klevis Jahaj.

“Kemi arritur në rezultatin që me të vërtetë janë angazhuar, e kanë kuptuar që i gjithë ky aksion ka të bëjë edhe me vlerësimin dhe rritjen e krediteve për bizneset e tyre kështu që na janë përgjigjur në mënyrën më të mirë”, theksoi Balluku.

Gjatë inspektimit, Balluku tha se ky proces ka në fokus bregdetin dhe kërkoi që ekipet e inspektorëve të mos krijojnë asnjë pengesë për asnjë subjekt.

“Task Forca, ashtu edhe grupet e tjera që kanë të bëjnë me çështjet e ujësjellës kanalizimeve duhet të shkojnë për të kontrolluar, por pa i shqetësuar subjektet”, u shpreh zv/Kryeministrja.

Referuar të dhënave në vitin 2022, Shqipëria regjistroi 67.5% të ujërave larës me cilësi “shkëlqyeshëm”, ndërkohë që synimi është që ky proces të arrijë 95% të ujërave larës me cilësi “shkëlqyeshëm”.

Tv Klan