Akuzat dhe mesazhet i kanë të njëjta

Përfaqësojnë brezin e ri në politikë por ashtu si liderët e partive të tyre akuzojnë kundërshtarin për krizën në vend.

“Është krizë e opozitës që ka zgjedhur ca mënyra jo demokratike për aksionin e saj politik. Është fakt që opozita mori përsipër një aksion që s’u mbështet as nga Shqipëria e as nga faktori ndërkombëtar. Janë zgjedhjet e tyre që duhet t’i zgjidhin ata. Të vazhdojmë e të flasim për ngërçe artificiale është humbje kohe”, thotë kryetari i FRESSH Eljo Hysko.

“Është emergjencë kombëtare që Shqipëria të dalë nga ky ngërç politik që për të katërtin vit radhaz po pengon rrugën europiane dhe që është një krizë e paralajmëruar dhe e pranuar nga gjithë faktori ndërkombëtar”, shprehet kreu i FRPD, Belind Këlliçi.

“Arsyet që na çuan në këtë krizë është ndërhyrja e qeverisë që e nxorri edhe opozitën nga Parlamenti. Rama si Kryeministër duhet të marrë përgjegjësitë se ka deshtuar, 18 Tetori apo mos hapja e negociatave, dështove në këtë reform, ka ardhur koha të rishikosh pozicionin tënd”, deklaron nënkryetari i PR Blendi Sulaj.

Nuk ndryshojnë nga kryetarët e partive edhe kur flasin për rrugët e daljes nga kjo situatë. Ftesat ndaj njëri-tjetrit i kanë të njëjta, sikundër mesazhin politik.

Eljo Hysko: PD t’i bashkohet tryezave siç është ajo e Reformës Zgjedhore, të kalojë e të lërë pas metoda jodemokratike për të ardhur në qeverisje. Ne nuk gjykojmë që ka arsye për zgjedhje të parakohshme. Ç’a ka ndryshuar nga 30 Qershori? Ata janë të paqëndrueshëm në qëndrimet e tyre.

Belind Këlliçi: Kemi përpara një njeri që nuk merr përsipër përgjegjësi, duhet larguar një orë e më parë dhe kjo vjen vetëm me revolucion dhe revolta paqësore.

Blendi Sulaj: Unë s’do kisha shtuar asgjë më shumë se Mediu. Teoria e Mediut ishte teori e saktë për daljen nga kriza. Hajde t’i përfshijmë këta njerëz dhe krijojmë një komitet, ishte një lëvizje e zgjuar. Në rast se duhet të kërkojmë një zgjidhje është ulja e palëve politike në dialog.

Teksa përplasjet mes liderëve partiakë sa vijnë e thellohen, drejtuesit e forumeve rinore kanë si detyrë parësore shtimin sa më shumë të radhëve me djem e vajza, që mbështesin ideologjinë e partive të tyre.

Tv Klan