Arrestohet drejtuesi i automjetit që e shkaktoi

“Ndodh që patrullat e policisë për shkak të vendodhjes apo ndalimit të makinave të kthehen vetë në rrezik për aksidente. Por sipas ekspertëve nuk është ky rasti i Vorës, ku një efektiv policie u godit nga një makinë që vinte nga Durrësi me shpejtësi mbi 100 km/orë”.

Megjithatë, nga filmimet e siguruara nga Tv Klan, duket se patrulla është stacionuar fill pas një kthese, e cila nuk lejon fushëpamjen e drejtuesve të automjeteve për t’iu përgjigjur në kohë kërkesës së policëve rrugore për t’u ndalur në kohë, nëse janë me shpejtësi.

Në rastin e aksidentit, si pasojë e shpejtësisë së lartë, i riu 20-vjeçar humbet kontrollin, godet mjetin BMË X5 ndaj të cilit po kryhet një kontroll rutinë, dhe përplas policin që ndodhet aty.  

Shenjat e frenimit të makinës duken në vendngjarje edhe një ditë më pas. Po ashtu edhe skicat e aksidentit. Efektivi i policisë ka qenë jashtë korsisë, por fare pranë saj.

Në këtë segment rrugor në hyrje të Vorës automjetet duhet të lëvizin me 50 km/orë, por kjo shpejtësi tejkalohej me 2-fish nga drejtuesi 20-vjeçar i makinës që shkaktoi aksidentin. Siç duket nga pamjet, ai shmang një përplasje me mjetin Golf që ndodhet në korsinë e shpejtësisë, por godet makinën e ndaluar nga policia, e cila ndodhet ngjitur me korsinë.

Polici është nën kujdesin e mjekëve në spital, sipas njoftimit të shpërndarë nga Policia e Shtetit, ndërsa 20-vjeçari pas përplasjes ka përfunduar në qeli.

Ai është konsideruar fajtor për aksidentin. Por jo në pak raste, vetë policët rrugorë janë bërë shkak për aksidente, pasi i ngrenë postblloqet në segmente të rrezikshme dhe pa sinjalistikën e nevojshme.

Tv Klan