Presidenti i Republikës, Ilir Meta thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua rreth zhvillimeve më të fundit në kufirin Ukrainë – Rusi, si dhe rreth pasojave të një përshkallëzimi të mëtejshëm nga një agresion i mundshëm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Presidenti Meta theksoi në mënyrë të veçantë domosdoshmërinë e evidentimit dhe mbajtjes së kontakteve me qytetarët shqiptarë me banim të përkohshëm në Ukrainë dhe mundësimin e evakuimit të tyre në rast nevoje, vijimin e reformave në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, forcimin e kapaciteteve kundër sulmeve kibernetike, marrjen e masave për rritjen e sigurisë së infrastrukturës strategjike dhe garantimin e rezervave të shtetit për çdo rast, si dhe ndjekjen me vëmendje maksimale të zhvillimeve në rajonin tonë”, thuhej në një njoftim të Presidencës.

Më tej thuhej se Presidenti Meta dhe anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare konfirmuan se, “Shqipëria, edhe si vend anëtar i NATO-s dhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është në krah të Ukrainës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, si dhe nxit dialogun dhe rrugën paqësore për zgjidhjen e krizës aktuale”.

Diskutimi zgjati për rreth 1 orë. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë nuk ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, të cilët ndodhen në SHBA, ku do të marrin pjesë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Në vend të kreut të qeverisë ishte zv/kryeministri Arben Ahmetaj. Po ashtu, të pranishëm në këtë mbledhje ishin Shefi i Shtabit, Bajram Begaj, Shefi i SHISH, Helindon Bendo, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi si dhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. I pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano./tvklan.al