Gazetarja: Të gjithë ishin të maskuar

Pas betimit të 4 kryekomunarëve të veriut të Kosovës, serbët kanë realizuar një protestë për moslejimin e futjes së tyre në komuna.

Protesta e serbëve që banojnë në komunën e Zveçanit nisi fillimisht në mënyrë paqësore, por degradoi me kalimin e kohës.

Për edicionin e lajmeve në Tv Klan, Gazetarja Blerta Dalloshi Berisha ka dhënë më shumë detaje rreth situatës në Zveçan.

Blerta Dalloshi Berisha: Për momentin kam ardhur në veri të Mitrovicës. Unë isha më herët në Zveçan ku situata ishte e tensionuar, kishte makina të policisë së dëmtuara, xhama të thyer. Protestuesit ishin ndarë në disa pjesë. Ne nuk u lejuam që të shkojnë tek objekti i komunës, kanë mbetur aty vetëm gazetarët që kanë qenë aty në fillim kur ka eskaluar situata. Pjesëtarë të KFOR-it ishin duke u kujdesur për sigurinë. Protestuesit kishin zënë pikat kyçe. Kur kaluam për të hyrë në Zveçan dhe u kthyem, protestuan dhe kërkonin që ne, Tirana të largohej nga ai vend. Po ashtu, kur kalonte policia apo EULEX, brohosinin dhe gjuanin. Të gjithë ishin me maska. Barrikada nuk ka pasur, ne ishim në të gjitha pjesët ku i vendosin zakonisht, por nuk kishte. Për momentin situata duket e qetë, por mund të eskalojë në çdo moment.

Ditën e djeshme janë betuar 3 kryetarët e komunave të veriut të Kosovës të zgjedhur në 23 Prill. Ceremonitë për arsye sigurie nuk janë zhvilluar në komuna, por në institucione publike në fshatra shqiptarë në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviq.

Më herët, u betua kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Artiq. Ceremonia e betimit të tij u bë në godinën e komunës nën masa të shumta sigurie, ndërsa nuk u shënuan incidente.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit, për herë të parë u zgjodhën shqiptarë për të drejtuar 4 komunat e veriut, kjo pasi lista serbe i bojkotoi zgjedhjet.

Nis vendosja e barrikadave në veri

Në Leposaviç, serbët lokalë kanë nisur vendosjen e barrikadave nëpër rrugë.

Qytetarët kanë vendosur barrikadë prej zhavorri në rrugën që të çon pikërisht në ndërtesën e Komunës së Leposaviçit, shkruan Klankosova.tv.

Pasi pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë rrethuar ndërtesën e komunës në Leposaviq, qytetarët kanë vendosur barrikadë drejtpërsëdrejti përballë komunës në kthesën për tek ndërtesa e komunës.

Ata e ngritën barrikadën duke shkarkuar zhavorr nga njëra anë e afrimit drejt komunës dhe duke bllokuar kështu atë pjesë të rrugës./tvklan.al