Spanja nën ujë

Rritet bilanci i të vdekurve si pasojë e stuhisë Gloria që ka përfshirë të gjithë Spanjën. Viktima e fundit ishte një burrë, i cili u gjet në portin e Palamos. 2 të tjerë gjetën vdekjen në Andalusia dhe një 77-vjeçar humbi jetën si pasojë e shembjes së një sere. Deri më tani numri i viktimave ka shkuar në 13.

Në rrethinat e Valencias dhe kryesisht në Barcelonë, uji përmbyti afro 30 kilometra katrorë sipërfaqe të mbjella me oriz. Gloria është shoqëruar edhe me erëra të fuqishme, që arrinin një shpejtësi prej 115 km/h dhe dallgë deri në 10 metra të larta.

Gjithashtu banesat, si dhe bizneset përreth Valencias kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Mijëra familje kanë mbetur pa energji si pasojë e përmbytjeve.

Gjithashtu një dukuri e pazakontë u shfaq edhe në rezortet e Katalonjës, ku rrugicat dhe muret e godinave u përfshinë nga shkuma e detit.

Edhe jugu i Francës ka aktivizuar alarmin portokalli duke bërë që autoritetet të vihen në gatishmëri të plotë. Stuhia Gloria klasifikohet si më e fuqishmja që pas vitit 1982.

Klan Plus