Deri tani 12 viktima dhe 419 të plagosur

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.6 të shkallës Rihter goditi zonat bregdetare lindore të Egjeut, duke shkaktuar viktima e dëme të konsiderueshme material në Turqi e Greqi. 

Momente tragjike si ky të shembjes së pallateve shumëkatëshe janë xhiruar në Izmir, qytetin turk të goditur më rëndë nga lëkundjet e tokës. 12 viktima dhe 419 të plagosur është bilanci i deritanishëm në Turqi, por shifrat pritet të rriten pasi ekipet e emergjencës po vijojnë intensivisht punën për nxjerrjen nga rrënojat të dhjetëra ndërtesave të rrafshuara.  

2 studentë humbën jetën nga shembja e një muri edhe në ishullin grek të Samosit. Pikërisht në ujërat detare disa kilometra lag brigjeve veriore të ishullit u shënua edhe epiqendra, në një thellësi prej 16.5 kilometrash. 

Lëkundjet ishin aq të fuqishme sa shkaktuan edhe një Tsunami të përmasave jo shumë të mëdha, por të mjaftueshme sa për të shkaktuar vërshime ujërash si këto, në brendësi të zonave të banuara dhe ato turistike të Izmirit.  

Lëkundjet janë ndjerë deri në Athinë, Kretë, Stamboll e Ankara. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan urdhëroi angazhimin e mbi 200 forcave të emergjencës me 50 automjete, ndërsa tha përmes Twitter-it se do të bëhet çdo gjë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar.

Kjo fatkeqësi duket se ka bërë që të harrohen edhe përplasjet mes 2 vendeve, pasi ministrat e Jashtëm të dy vendeve kanë pasur një telefonatë për situatën. Turqia është një zonë tepër aktive sizmike. Edhe Tirana zyrtare është solidarizuar me fatkeqësinë. Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës Basha publikuan mesazhe ngushëllimi për humbjen e jetëve nga tragjedia.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që territori turk goditet nga një tërmet i fuqishëm pas atij të Janarit në Elazig, në lindje të vendit me magnitudë 6.7, që i mori jetën 41 personave e plagosi 1600 të tjerë.

Tv Klan