Shpëtohet një 3-vjeçare pas 3 ditësh nën rrënoja

Vijon të shtohen viktimat e tërmetit në Turqi. Numri i tyre ka arritur në 83, ndërsa bujë ka bërë shpëtimi i një 3-vjeçareje e cila mbijetoi 3 ditë nën rrënojat e një pallati të shkatërruar.

Kjo vogëlushe 3-vjeçare i mbijetoi tërmetit shkatërrimtar i magnitudës 6.6 të së Premtes në Izmir.  Ekipet e emergjencës e nxorrën nga rrënojat pas 3-ditësh, një mrekulli që është pritur me shumë entuziazëm.

Ajo mbijetoi nën rrënoja, ashtu si 3 vëllezërit e motrat e saj si dhe nëna që u shpëtuan më herët gjatë këtyre ditëve. 3-vjeçarja Elif Perinçek është personi i 106-të që është shpëtuar deri më tani, teksa numri i viktimave ka arritur në 83 dhe mbi 900 ai i të plagosurve.

Me mijëra janë banorët e mbetur të pastrehë. Fusha e një prej stadiumeve të qytetit është shfrytëzuar për të ngritur dhjetëra çadra. Në zona të ndryshme deri më tani janë ngritur mbi 3 mijë të tilla, me një kapacitet prej rreth 13 mijë shtretërish. Planifikohet ngritja e një qyteti të përkohshëm me kontejnerë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për shkaqet e rrënimit të të paktën 13 pallateve. Disa prej tyre ishin shpallur të rrezikshëm për banim, pas dëmeve nga tërmetet e viteve të kaluara.

Tv Klan