Pse Shqipëria nuk aplikon “Green pass” për të vaksinuarit

Ulja e muzikës dhe e dritave paralajmëron klientët e kryeqytetit se ora policore është afër.  Pjesa më e madhe e tyre nxitojnë të largohen nga lokalet përpara orës 23.00, ndërsa patrullat e policisë shtojnë qarkullimin. As minuti nuk falet për të rinjtë dhe të rejat që po argëtohen, të cilët nxirren jashtë me detyrim nga uniformat blu. Një situatë terrori e krejtësisht e pazakontë.

Askush nuk i pyet nëse janë të vaksinuar apo jo, edhe pse zyrtarisht në Shqipëri janë injektuar më shumë se 2 milion vaksina. Do të mjaftonte pasaporta e gjelbër ashtu siç po aplikohet në shumë vende të botës, që për ta jeta e natës të vijonte normalisht. Aplikimi i pasaportës së gjelbër mendohet si një zgjidhje edhe nga drejtuesit e bareve dhe restoranteve, që prej më shumë se 20 muajsh punojnë të kufizuar.

Për ne që bëjmë këtë punë është e stërlodhshme dhe ka arritur një pikë që nuk e përballojmë dot. Kemi vështirësi me personelin, me klientelën, e cila thotë unë jam e vaksinuar përse të mos rri. Duan të bëjnë Green passin dhe të vijojmë të mbyllemi në orën 11.00 unë këtë nuk e kuptoj fare. Nëse doni të bëni Green Passin atëherë na lini të punojnë. Ata që e kanë të frekuentojnë lokalet edhe pas orës 11.00.  Ndoshta do të ishte problem për në kontrollimi, por do e bënim këtë sakrificë në mënyrë që të vazhdojmë punën”.

Baret dhe restorantet ku mund të aplikohet lehtësisht pasaporta e gjelbër, konsiderohen vatra Covid, në një kohë që urbanet janë të stërmbushur, 23 mijë tifozë qëndrojnë në stadium pa asnjë masë mbrojtje e distance. Koncertet mbahen normalisht.

Një paradoks që e ndjek Shqipërinë krahasuar me vendet e tjera europiane, përfshirë edhe ato të rajonit. Ne shtete si Zvicra, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Greqia, Italia etj, me një numër të larte popullsie Green Pass i jep akses gjithkujt për çdo shërbim, duke eliminuar kufizimet ne orare.

Kufizimet janë vetëm për personat e pavaksinuar. Ndërsa në Shqipëri kur zyrtarisht janë injektuar mbi 2 milionë vaksina ne një popullsi 2.8 milionë banorë, zgjidhja mbetet ora kufizuese qe rendon ne kurriz te bizneseve, qytetareve dhe shërbimeve.

Tv Klan